Policia e Kosovës mohon sulmin kundër drejtorit të një OJQ-je në veri

vovalbania November 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Policia e Kosovës mohon sulmin kundër drejtorit të një OJQ-je në veri

Policia e Kosovës tha se sulmi i raportuar nga organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicën e Veriut, “është i pavërtetë”.

Kjo organizatë raportoi më herët se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Sipas saj, incidenti ka ndodhur mëngjesin e 14 nëntorit, pranë vendkalimit kufitar me Serbinë – Jarinjë.

Por, Policia e Kosovës, në një deklaratë të shpërndarë për mediat, tha se personi në fjalë, pas përfundimit të procedurave kufitare, ka vazhduar “pa asnjë problem” në drejtim të Republikës së Serbisë.

Sipas Policisë, “nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim”, ashtu siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara.

Me gjithë përpjekjet e REL-it, Milliqeviq nuk iu përgjigj thirrjeve për koment.

Aktiv pretendoi se ai “është ndaluar nga forcat speciale të Kosovës, është ndarë nga kolona dhe gjatë marrjes në pyetje, një pjesëtar i policisë speciale e ka goditur me grusht në bark”.

“Në të njëjtën kohë, ka pasur edhe ngacmime verbale”, tha Aktiv, duke paralajmëruar se do të ngrejë kallëzim ndaj pjesëtarëve të forcave speciale në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe në të gjitha organet kompetente.

Aktiv e përshkruan veten si organizatë që merret me promovimin e demokracisë dhe të dialogut në shoqëri.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Besohet se rreth 9.000 makina me targa të tilla qarkullojnë në këtë pjesë, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke kërkuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e rritjes së tensioneve, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45291 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE