Pretendonte se shëroi Schumacher, “doktori” grek shpallet fajtor për 7 vrasje

vovalbania November 17, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Pretendonte se shëroi Schumacher, “doktori” grek shpallet fajtor për 7 vrasje

Pretendonte se ishte një onkolog i dalluar dhe premtonte shërim të pacientëve të sëmurë rëndë, por 50-vjeçari Nikos Kontostathis rezultoi të ishte një mashtrues dhe një vrasës serial.

Pas më shumë se një viti hetimesh dhe sallës së mbushur me persona që kanë vuajtur mashtrimet e “Dr.Kontos”, gjykata e ka shpallur fajtor 50-vjeçarin për 7 vrasje dhe 6 tentativa vrasjeje të pacientëve të sëmurë rëndë.

Po ashtu, ai u shpall fajtor edhe për mashtrim të një shkalle të rëndë në mënyrë sistematike ndaj 28 pacientëve dhe të afërmve të tyre, si dhe për një seri krimesh të tjera, si falsifikim, madje edhe për trafik droge e armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, gjykata liroi 16 të akuzuarit e tjerë, duke përfshirë një mjek dhe një ish-ministër.

Prokurori ka kërkuar që i pandehuri të dënohet me burgim të përjetshëm për çdo vrasje që është shpallur fajtor dhe 12 vite shtesë për çdo tentativë vrasjeje, si dhe burgim të përjetshëm për trafik droge.

“Unë nuk jam vrasës, jam njeri që jep. Nuk i kam premtuar askujt që mund të shërohet me barishte nga sëmundjet e pashërueshme. Unë besoja dhe besoj ende se njeriu mund të shërohet nga fuqia e Zotit. Unë besoj se ka një bar për çdo sëmundje që mund ta shërojë atë, Zoti që është mbi ju e ka thënë këtë. Zoti zgjedh kush do të jetojë dhe kush do të vdesë”, ka thënë ai para gjykatës.

Ai ishte bërë i famshëm me mashtrimet që iu bënte pacientëve. Një prej të cilëve ishte edhe Tatiana, shkruajnë mediat greke. Ajo vuante nga artriti kronik dhe tha se në vitin 2018 u takua me mjekun mashtrues, në Makrinicë të Pelionit, me shpresën se do t’i bënte mirë asaj dhe bashkëshortit të saj. Sot ajo thotë se është me fat që nuk rrezikoi të humbiste jetën nga këshillat e tij mjekësore. Ajo tha se sapo e takoi, ai i tha se kishte shëruar Rockefeller-in dhe Schumacher-in.

“Ai na ishte prezantuar nga disa miq të familjes që ishin klientë të tij. E takova për herë të parë në një kafene në Makrinicë. Ai na kishte lënë një takim atje dhe më pas na çoi matanë rrugës në një dyqan barishtesh për të blerë hithra dhe gjembaç. Edhe këto na janë dhënë në sasi të gabuara që mund të na kishin dëmtuar. Na u prezantua si Kontos, jo Kontostathis. Ai na tha se kishte shëruar Rokfelerin dhe Schumacherin dhe se kishte si paciente gruan e një pronari të njohur anijesh. E kishim parë në televizor dhe ishim disi të hutuar në fillim kur morëm vesh se ai po na mashtronte“, tregoi gruaja nga Pelioni.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47777 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE