Banka Qendrore Europiane i shpall luftë inflacionit!

vovalbania November 18, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Banka Qendrore Europiane i shpall luftë inflacionit!

Eurozona duhet të përgatitet për rritje të normave të interesit. Kështu paralajmëroi sot presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, teksa përshkroi përpjekjet e bankës për të frenuar inflacionin. Në Kongresin Bankar Europian të Frankfurtit deklaroi:

Ne presim të rrisim më tej normat! Në fund të fundit, ne do të rrisim normat në nivele që e kthejnë inflacionin në objektivin tonë afatmesëm, në kohën e duhur. Synimi i BQE-së është të mbajë inflacionin në rreth 2%.

Por, të dhënat e tetorit e vendosin inflacionin e Eurozonës në 10.6% më të lartë se i të njëjtit muaj të një viti më parë. Norma e inflacionit në Gjermani, ekonomia më e madhe e Europës, qëndron në 10.4%.

Inflacioni në Eurozonë është shumë i lartë. Rreziqet e recesionit ekonomik janë rritur, pavarësisht disa surprizave pozitive të fundit në të dhënat e PBB-së.

Normat e interesit janë dhe do të mbeten mjeti kryesor për rregullimin e qëndrimit tonë.

Perspektiva globale ekomomike është më e zymtë se parashikimet e muajit të kaluar. Kështu theksoi Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN. Muajin e kaluar, FMN-ja uli parashikimin për rritjen ekomomike në vitin 2023 në 2.7%, nga një parashikim i mëparshëm prej 2.9%.

Në një raport të përgatitur për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, që zhvilloi punimet në Bali të Indonezisë, Fondi theksonte se “treguesit e fundit konfirmojnë se perspektiva është edhe më e zymtë, sidomos në Europë”. Sfidat me të cilat po përballet ekonomia globale, janë të mëdha, ndërsa treguesit ekonomike tregojnë të tjera sfida përpara. Mjedisi aktual i politikës është jashtëzakonisht i pasigurt. Përkeqësimi i krizës energjetike në Europë do ta dëmtonte rëndë rritjen ekonomike e do të rriste inflacionin.

Inflacioni në gjithë botën ka nisur të rritet, fillimisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Rritja vazhdoi edhe pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit të këtij viti. Të dy këto vende janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë. FMN-ja paralajmëroi se edhe moti gjithnjë e më ekstrem mund ta dëmtojë rritjen ekonomike.

Në muajin shtator, çmimet e konsumit u rritën me 9.9 për qind. Ekonomia e Eurozonës është zhvilluar pak më mirë nga sa u prit në muajt e verës, sipas një vlerësimi shtesë të publikuar nga Eurostat. Në tremujorin e tretë, Prodhimi i Brendshëm Bruto në 19 shtetet anëtare është rritur me 0.2 për qind në krahasim me të dytin.

Rritja e kërkesës për produkte dhe shërbime tjera, pas heqjes së masave kufizuese për luftën ndaj pandemisë së koronavirusit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, besohet se janë dy shkaqet kryesore që kanë ndikuar në rritje të inflacionit në shumë vende të botës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45255 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE