Kurti konfirmon: Jemi në negociata për çështjen e targave!

vovalbania November 18, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kurti konfirmon: Jemi në negociata për çështjen e targave!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti konfirmon se zëvendësi i tij, Besnik Bislimi është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin zyrtar për të zgjidhur çështjen e targave. Sipas shefit të qeverisë së Prishtinës, ditët në vijim do të shihet nëse negociatat e reja do të kenë apo jo sukses. Deklaratat i bëri gjatë një vizite në Estoni, në një konferencë për shtyp me homologen estoneze, Kaja Kallas.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur që kur në fillim të muajit, kabineti Kurti nisi zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Kryesisht, këto automjete qarkullojnë në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë e Beogradi zyrtar ushtron ndikim. Teksa dha shifra, kryeministri Kurti nënvizoi se janë 9 mijë makina me targa ilegale serbe, më pak se 10 për qind e atyre që disponojnë serbët në Kosovë. Sipas tij, “vetëm një pakicë ekstreme e tyre po i refuzon këto targa”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç janë ftuar që “së shpejti” të shkojnë në Bruksel për të gjetur zgjidhje lidhur me targat ilegale serbe. Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano nuk dha ndonjë datë, por u shpreh se “takimi duhet të zhvillohet shumë, shumë shpejt”, me qëllim “gjetjen e zgjidhjes europiane”.

Për takimin e planifikuar nga Brukseli zyrtar, deri tani, qeveria e Kosovës dhe presidenca e Serbisë, nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Që nga vendimi i Prishtinës zyrtare në fund të qershorit për riregjistrimin e makinave duke zëvendësuar targat ilegale serbe me ato RKS, Republika e Kosovës, situata në veri është e tensionuar. Beogradi, si dhe popullata lokale serbe në veri po e kundërshtojnë këtë vendim e insistojnë në targa neutrale – KS.

Ndërkombëtarët, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë fshehur zhgënjimin që Prishtina nuk pranoi të shtynte zbatimin e vendimit me 10 muaj.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 58469 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE