Edhe Kosova nën “darën” e motit të keq/Përmbytje e dëme në disa zona!

vovalbania November 21, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Edhe Kosova nën “darën” e motit të keq/Përmbytje e dëme në disa zona!

Përmbytjet që shkaktuan shirat e furishëm dëmtuan shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë në disa komuna të Kosovës. Istogu, Peja, Vushtrria dhe Juniku janë ndër komunat më të goditura. Nga kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” thonë se përmbytjet turbulluan ujin në disa pjesë, duke çuar në reduktime të furnizimit.

Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar ta ndërpresim furnizimin me ujë të pijshëm në Fushë Kosovë, në lagjen Kalabria në Prishtinë, në Drenas dhe në Obiliq. Furnizimi i rregullt do të rikthehet në momentin që garantohet cilësia e duhur e ujit.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Istog, Abedin Kabashi, raporton:

Deri në orët e vona kemi qenë në terren, kemi pasur ndërhyrje në disa fshatra në luginën e Drinit, ku gjendja ka qenë më e rënduar. Kemi bërë intervenime për të tejkaluar rrezikun e dëmtimeve më të mëdha në ekonomi familjare. Në dy shkolla dhe në një çerdhe të Istogut është ndërprerë procesi mësimor, pasi rrugët që çojnë në këto institucione janë të pakalueshme për këmbësorë. Tre lumenjtë e kësaj komune, i Istogut, Shushica dhe Kujavçi, dolën pjesërisht nga shtrati.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se reshjet e shiut me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale do të vazhdojnë edhe sot. Më të theksuara pritet të jenë në Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec, etj.

Në Vushtrri, situata u vu nën kontroll.

Jemi në terren, po vizitojmë banorët që janë prekur nga vërshimet dhe po bëjmë evidentime të dëmeve. Dëme të mëdha nuk ka. Bodrumet në disa shtëpi janë vërshuar. Shtabi emergjent është në gjendje gatishmërie.

Reshjet e shiut rritën edhe nivelin e lumit Erenik në Junik.

Kemi dëme në infrastrukturë, kemi dëme në lumin Erenik, muret mbrojtëse të lumit janë dëmtuar si pasojë e vërshimeve, kemi një biznes që është përmbytur nga vërshimet.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës njoftoi se po përgatit hartat e rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe hartimin e planeve për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet e thatësira, në mënyrë që në situata të tilla të jenë më të përgatitur.

Jemi të angazhuar që të marrim masa konkrete përmes investimeve në infrastrukturë.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh përmbytje në Kosovë. Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjes së paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave. Të fundit të mëdha ishin përmbytjet në korrik në disa komuna të Kosovës, përfshirë Vushtrrinë, Gjilanin e Prishtinën.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48480 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE