Kurti e Vuçiç në takim urgjent në Bruksel!

vovalbania November 21, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kurti e Vuçiç në takim urgjent në Bruksel!

Në Bruksel sot mbahet një takim urgjent i nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në kryeqendrën europiane ndodhen Albin Kurti e Aleksander Vuçiç. Fokusi i takimit, gjetja e rrugëdaljes nga kriza aktuale për shkak të riregjistrimit të targave, si dhe shmangia e çdo përshkallëzimi e tensioni në terren. Synohet rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës.

Takimi ndërmjetësohet nga kryediplomati europian, Josep Borrell, i cili fillimisht priti Kurtin, për të vijuar me Vuçiçin para takimit të përbashkët, për të cilin Vuçiç u shpreh dje se nuk ka pritshmëri, por se po merr pjesë për të mos i atribuar Serbisë faturën e refuzimit.

Ndërkaq, Policia e Kosovës bëri të ditur se edhe sot do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërsa nesër nis aplikimi i gjobave, deri në 150 euro. Sipas policisë, zbatimi i kësaj mase administrative do të zgjasë deri më 21 janar të vitit të ardhshëm.

Nga 1 nëntori kur qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës e Serbisë janë rritur. Plani përcakton që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në të Kosovës, deri më 21 prill 2023. Janë rreth 9 mijë makina me të tilla targa në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, vazhdimisht i kanë kërkuar qeverisë ta shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave me targa ilegale.

Shumica e serbëve në veri kundërshtojnë targat që lëshon Republika e Kosovës, duke kërkuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Në shenjë kundërshtimi, nga 5 nëntori, serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan.

Po ashtu, partnerët ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje Kosovës që urgjentisht të nisë negociatat për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve. Synohet që bisedimet e nisura në vitin 2011, të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e të dy palëve mbeten larg.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48238 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE