MM njofton për situatën nga reshjet/54 familje të evakuuara në Shkodër, Malësi të Madhe e Lezhë!

vovalbania November 21, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
MM njofton për situatën nga reshjet/54 familje të evakuuara në Shkodër, Malësi të Madhe e Lezhë!

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, situata si pasojë e reshjeve intensive në vend paraqitet problematike veçanërisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.

Mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet janë përqendruar në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe tre familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe. Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre. Një familje është evakuuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Gjithashtu, pas kërkimeve intensive është bërë e mundur gjetja e trupave të babë e bir, në fshatin Dedaj, të cilët i mori rrjedha e ujit të përroit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, fshati Bogë, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe.

Ndërkaq punonjësit e ARRSH-së janë gjatë gjithë kohës në terren për të pastruar akset e bllokuara. U bë i mundur kalimi i banorëve të zonave ku ka probleme edhe me rrugë të tjera alternative. Në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi. Po ashtu është normalizuar situata në aksin e vjetër Milot-Burrel, ku pati rënie gurësh.

Furnizimi me energji është i garantuar në pjesën më të madhe të zonave, ku ka patur dëmtime nga reshjet, pas një pune të pandërprerë nga punonjësit e OSHEE-së në terren. Situata po ndiqet me vëmendje edhe në bashkitë e tjera të vendit si në atë të Dibrës, Kukësit, Tropojës, Durrësit, Tiranës, etj.

Nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, efektivët e Forcave të Armatosura, të gjitha kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, Policia e Shtetit, strukturat e emergjencave civile, shërbimi mjekësor janë të gjithë të angazhuar në terren në çdo rast nevoje. Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të zonave më të prekura nga reshjet, të bëjnë kujdes gjatë këtyre orëve kritike, të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në çdo rast dhe pa vonesë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE