Si po rekrutohen të burgosurit nga mercenarët e Grupit Vagner për të luftuar në Ukrainë

vovalbania November 22, 2022 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
Si po rekrutohen të burgosurit nga mercenarët e Grupit Vagner për të luftuar në Ukrainë

Grupi Vagner është një forcë ushtarake private me lidhje të ngushta me Vladimir Putinin. Zyrtarisht, ky grupim nuk ekziston. Prania e tij në Ukrainë bëri bujë dhe shkaktoi shqetësim, pasi hetuesit e OKB-së dhe grupet e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar këtë grup mercenarësh për shënjestrimin e civilëve dhe kryerjen e ekzekutimeve në masë.

Grupi Vagner u shfaq për herë të parë në vitin 2014, i financuar nga Yevgeny Prigozhin, një biznesmen rus dhe bashkëpunëtor i afërt i Putinit. Kohët e fundit në internet janë shfaqur video të Prigozhin duke rekrutuar të burgosur për të luftuar në Ukrainë, në këmbim të uljes së dënimeve.

Javën e kaluar u shfaq një video e re e ekzekutimit të të burgosurit rus Evgeny Nuzhin, që i ishte bashkuar Grupit Vagner, dhe më vonë u vetë-dorëzua tek ushtria ukrainase dhe dëshmoi kundër rusëve. Videoja në fjalë tregon rekrutët e grupit duke e ekzekutuar Nuzhin përmes goditjes në kokë me një varre.

Gazeta e pavarur ruse e lajmeve që botohet në mërgim “Vazhnyye Istorii” ishte e para që raportoi për rekrutimin e të burgosurve në Grupin Vagner në korrik nga zona e Shën Petersburgut. Që nga ajo kohë rekrutimi është zgjeruar në burgjet në Urale, Siberi, Lindjen e Largët, madje edhe në Rrethin Arktik, raporton abcnews.al.

Ndërsa zyrtarët rusë dhe vetë Prigozhin i hodhën në fillim poshtë informacionet për rekrutimin e të burgosurve, më vonë mediat propagandistike pro-Kremlinit filluan që të transmetonin video të të burgosurve “të vrarë heroikisht” në luftën në Ukrainë. Po ashtu në internet u shfaq edhe një video e Prigozhin duke mbajtur një fjalim para të burgosurve në një burg në Yoshkar-Ola.

Por si rekrutohen të burgosurit? I burgosuri që foli për “Vazhnyye Istorii” tha se një javë para ardhjes së drejtuesve të Grupit Vagner, u ndaluan vizitat e gjata në burg. Kryemjeku i rajonit Chelyabinsk shpalli një karantinë. Katër ditë më vonë pushoi së funksionuari shërbimi telefonik. Dhe më 11 tetor në orën 5 pasdite, që të gjithë u larguan nga puna dhe u bënë pjesë e njësisë.

“Oficerët e grupit erdhën rreth 30 minuta më vonë, dhe na urdhëruan të mblidheshim në sheshin kryesor. Ata i sollën që të gjithë, përfshirë të dënuarit për krimet më të rënda që mbaheshin të izoluar dhe në kushte të rrepta. Drejtuesit e burgut nuk dukeshin gjëkundi. Pas një ore pritje në shesh, një helikopter ngjyrë jeshil dhe me një yll të kuq në pjesën anësore fluturoi mbi kokat tona në një lartësi shumë të ulët dhe u ul pas godinës së burgut. Në fillim hynë disa njerëz të veshur me rrobat civile, të cilët na udhëzuan të formonim një gjysmërrethi. Kur mbaroi përgatitjet, në oborr hyri vetë Prigozhin…”- dëshmon i burgosuri.

Themeluesi i Vagner u tha të dënuarve se po udhëtonte në mbarë vendin për të rekrutuar vullnetarë. “Ai na tha se ushtria zyrtare ruse nuk është e aftë për luftë, se ushtarët rusë pinë drogë dhe nuk duan të luftojë. Kur tërhiqen ose mposhten, ata e quajnë këtë një “rigrupim trupash”. Ndërkohë Grupi Vagner po ecën mirë në front. Prigozhin na tha se tani po rekrutonte vetëm njësi sulmuese. Ai kishte nevojë për njerëz që ishin në burg për vrasje, grabitje dhe plaçkitje. Ata që kanë vullnet të dobët nuk mbijetojnë”- na tha ai.

I dënuari kujton më tej se bashkëpunëtori i Putin nuk donte të rekrutonte përdhunues, sepse nuk donte të shkaktonte përçarje në njësitë e tij. Ata do të rekrutoheshin veçmas, brenda muajit nëntor, raporton abcnews.al.

“Ai na premtoi një pagë mujore prej 100.000 rublash në muaj (1.600 dollarë), plus 100.000 rubla shtesë për angazhimin në luftime. Në rast vdekjeje, dëmshpërblimi do të ishte 5 milionë rubla dhe titulli “Hero i Rusisë”. Prigozhin na tha se ato do të paguhen vetëm me para në dorë, ndaj ne duhej të identifikonim që para se të niseshim në front të afërmit që do të merrnin paratë. Na paralajmëroi se nuk kishte rrugë kthimi: dezertimi, plaçkitja dhe marrëdhëniet seksuale me civilët dënoheshin me vdekje”- theksoi rekruti.

Prigozhin u tha të dënuarve se nuk do të merrnin asnjë dokument, dhe se garancia për ta ishte “fjala e tij e nderit”. Dretuesi i Vagner u tha rekrutëve se nëse kapnin rob ushtarë ukrainas, mund të “bëni gjithçka” me ta. “Ai na tha se grupi u pret veshët të burgosurve në Afrikë, dhe se nuk i intereson se çfarë bëjmë ne me të burgosurit. Merrini robër nëse dëshironi, torturojini, ngacmojini, pritjani fytin nëse dëshironi”- u shpreh miliarderi.

Prigozhin premtoi 3 javë stërvitje për të dënuarit që pranonin të luftonin: 20 orë në ditë plus 4 orë gjumë. Por gjykuar nga deklaratat e të dënuarve të rekrutuar nga Grupi Vagner të kapur rob në Ukrainë, trajnimi zgjat vetëm 1 javë. Sipas vlerësimeve të të burgosurit, rreth 270 nga 1500 të burgosur të burgut Kopeisk-1 ishin të interesuar për propozimin e Prigozhin.

“Shumë prej tyre ranë dakord për shkak të parave. Disa e bënë sepse kishin ende shumë kohë për të qëndruar në burg. Për shembull kishin bërë 10 vjet dhe i kishin mbetur edhe 10 vjet të tjera. Prandaj donin të dilnin nga aty. Ata monitoronin vazhdimisht rrjetet sociale (jo zyrtarisht shumtë të burgosur mbajnë celularë në qeli), dhe në thelb që të gjithë shpresonin se do te mbijetonin dhe do të liroheshin pas 6 muajsh”.

Ata që kaluan fazën e intervistës u dërguan në një njësi tjetër. Atje iu treguan video rreth veprimtarisë së Grupit Vagner dhe iu dhanë udhëzime. Gjatë gjithë kohës që drejtuesit e këtij grupimi mercenarësh ishin nëpër burgje, autoritetet i fikën kamerat e sigurisë dhe ndaluan komunikimet me jashtë.

Burimi ynë vë në dukje se zyrtarët e burgut shmangën diskutimin e rekrutimit. “Duket se ata kishin frikë nga pasojat për dënimin ose inkurajimin e aktiviteteve të tilla”- mendon ai. Sipas burimit tonë, rreth 190 persona u larguan më 25 tetor nga burgu ku ai vuante dënimin. Sipas “Gulagu.net”, një portal që monitoron korrupsionin dhe torturat në Rusi, 243 persona nënshkruan një kontratë bashkëpunimi me Vagner, raporton abcnews.al.

Ai njeh të paktën 10 të burgosur që kanë vdekur gjatë luftimeve në Ukrainë nga ata që ishin rekrutuar në koloninë penale nr. 2. “Të afërmit e tyre shkuan në Moskë për të tërhequr trupat dhe medaljet. Atyre iu dha një medalje për trimëri. Por në vend që të merrnin 5 milionë rublat e premtuara (180.000 dollarë), iu dhanë vetëm 3000 rubla (4.930 dollarë), pra pak më shumë se rroga mujore”- dëshmon ish-pjesëtari i këtij grupimi./Abc

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE