Albin Kurti: Plani franko-gjerman, një orë e më parë në tryezë!

vovalbania November 23, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Albin Kurti: Plani franko-gjerman, një orë e më parë në tryezë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon që plani i Francës dhe Gjermanisë, i përkrahur nga BE-ja të vendoset në tryezë “një orë e më parë”. Sipas raportimeve, “ky plan është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë”. Në një konferencë për media, pas mbledhjes së qeverisë, Kurti deklaroi:

Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj! Arsyeja kryesore pse shkova në Bruksel të hënën është nisja e diskutimit për marrëveshjen finale mbi planin franko-gjerman, jo diskutimi për targat. Marrëveshja ligjërisht e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë ishte pjesë e ftesës së BE-së, por më pas u braktis dhe u kalua vetëm te çështjet aktuale.

Kosova ishte gati të pezullonte fazën e dytë të vendimit për targa, që përfshin gjobat për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa ilegale serbe, që të krijohet hapësirë për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, e parashikuar nga BE-ja që të arrihej deri në mars 2023.

Afatin mars 2023 nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar Brukseli. Unë kam kërkuar të jetë shkurti 2023… Por, në fund ata hoqën dorë.

Në takimin që pata me Borrellin në Forumin e Paqes në Paris, më tha se propozimi franko-gjerman është propozim i BE-së, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se propozimi franko-gjerman përfshin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në dy faza:

Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë se është një për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme.

Në tetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45351 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE