“Katar 2022”, Iran-Amerikë/Momentet historike kur në fushën e botërorëve “zbret” gjeopolitika!

vovalbania November 26, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Katar 2022”, Iran-Amerikë/Momentet historike kur në fushën e botërorëve “zbret” gjeopolitika!

Të martën e 29 nëntorit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të luajnë në Katar, në kuadër të Kupës së Botës në Futboll. Dy vende rivale, por kur zbritet në fushën e lojës, rivaliteti sfumohet. Mjafton të kujtosh Botërorin e 1998-ës në Francë, me skena vëllazërore mes lojtarëve të dy ekipeve. Ndër vite, botërorët e Futbollit janë të mbushur me momente kyçe kur gjeopolitika hyn në fushë:

1938: Itali-Francë

Në një kontekst shumë të tensionuar gjeopolitik, me hijen e fashizmit mbi Europën, Franca priti Botërorin e tretë në histori. Më 12 qershor u përball me Italinë në çerekfinale në stadiumin “Colombes” (Italia fitoi 3-1).

Italianët veshën fanellë të zezë, të ngjashme me atë të milicëve të regjimit të Musolinit e bënë një përshëndetje fashiste për 60 mijë spektatorët. Publiku u përgjigj duke fishkëllyer fuqishëm himnin italian.

Në sytë e Duçes, futbolli ishte një mënyrë për të treguar epërsinë e ideologjisë fashiste. Të kaltrit i shkuan deri në fund kompeticionit dhe morën titullin e dytë planetar radhazi.

1974: RFGJ-RDGJ

Më 22 qershor, dy “motrat armike”, Republika Federale e Gjermanisë (RFGJ) dhe Republika Demokratike e Gjermanisë (RDGJ) u përballën në Hamburg.

Në mesin e Luftës së Ftohtë, kjo ndeshje kristalizoi tensionet mes dy blloqeve. Ndonëse e klasifikuar e rrezikshme, më në fund ndeshja kaloi pa pengesa.

RDGJ fitoi kundër të gjitha gjasave, falë një goli të Jurgen Sparëasser-it, i kujtuar si ai që i dha fitoren Bllokut Lindor. Por, RFGJ mori Kupën e dytë të Botës.

1986: Argjentinë-Angli

Më 22 qershor, Argjentina dhe Anglia takohen në çerekfinale në Mexico City, katër vjet pas luftës së ishujve Falklands, që iu mori jetën 649 argjentinasve dhe 255 britanikëve.

Atmosfera ishte shumë e tensionuar mes dy skuadrave, vendet e të cilave ndërprenë marrëdhëniet diplomatike në vitin 1982.
Tifozët argjentinas dilnin me pankartat me mbishkrimet: “Folklandët janë argjentinas” dhe këndonin këngë ku bënin thirrje për vrasjen e  anglezëve.

Në prag të çerekfinales, pati përplasje mes ultrasve nga të dyja palët, duke shkaktuar disa dhjetëra të lënduar.
Argjentina e fitoi ndeshjen, kryesisht falë Diego Maradonës, autor i dy golave ​​legjendarë: “Dora e Zotit” e më pas “Goli i shekullit”.

Maradona shprehej:

Ishte për ne, jo për të fituar një ndeshje, por për të eliminuar anglezët.

1998: Iran-SHBA

Me pjesëmarrjen e dytë në një Botëror, në vitin 1998 Irani u gjend në një grup me Amerikën, armiken e betuar. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë prishur që nga pengmarrja e ambasadës amerikane në Teheran, pas Revolucionit Iranian të vitit 1979. Takimi i 21 qershorit në Lion, paraqiti një mundësi për paqe.

Pas himneve, futbollistët amerikanë shtrënguan duart me kundërshtarët, duke u ofruar flamuj. Në këmbim, secili mori një buqetë me trëndafila të bardhë. Më pas, lojtarët u bashkuan për një foto krah për krah. Iranianët fituan 2-1 duke nënshkruar fitoren e tyre të parë në Kupën e Botës.

2018: Zvicër-Serbi

Më 22 qershor në Kaliningrad, Serbia u përball me Zvicrën, ekip që ka disa lojtarë me origjinë kosovare. Kishin kaluar 10 vjet nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Serbia nuk e njeh shtetin e ri dhe marrëdhëniet Beograd-Prishtinë ende nuk janë normalizuar.

Granit Xhaka, i lindur në Zvicër nga një familje kosovare dhe Xherdan Shaqiri, i lindur në Kosovë shënuan nga një gol, duke bërë që Zvicra të fitonte ndaj Serbisë 2-1. Dy lojtarët festuan golat e tyre duke bërë me duar shqiponjën e flamurit shqiptar, gjest i mbështetjes për Kosovën.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45338 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE