Federata amerikane e futbollit poston flamurin iranian pa stemën islamike

vovalbania November 27, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Federata amerikane e futbollit poston flamurin iranian pa stemën islamike

Përpara ndeshjes SHBA-Iran që zhvillohet ditën e martë, në kuadër të Kupës së Botës, Federata amerikane e Futbollit shpalosi për pak kohë në median sociale, flamurin kombëtar të Iranit pa emblemën e Republikës Islamike. Zyrtarë të federatës thanë se një gjë e tillë u bë për të mbështetur protestuesit në Iran në përpjekjet e tyre për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut.

Në një reagim të saj qeveria e Iranit tha se Shtetet e Bashkuara kanë hequr emrin e zotit nga flamuri i tyre kombëtar.

Vendimi i Federatës amerikane të Futbollit shihet si një tjetër ‘stuhi politike’ në Kupën e parë të Botës që mbahet në Lindjen e Mesme, që organizatorët kishin shpresuar se do t’u shpëtonte polemikave që ekzistojnë jashtë fushës.

SHBA-të përballen me Iranin në një ndeshje vendimtare të Kupës së Botës, e cila tashmë është e ngarkuar nga armiqësia prej dekadash mes dy vendeve, si dhe protestat mbarëkombëtare kundër qeverisë teokratike të Teheranit.

Në llogarinë në Twitter të skuadrës amerikane të futbollit u shfaq një banderolë me ndeshjet e skuadrës në grupe, si dhe për pak kohë flamuri iranian vetëm me ngjyrat e tij jeshile, të bardhë e të kuqe. E njëjta gjë shihej edhe në një postim në llogaritë e skuadrës në Facebook dhe Instagram.

Ky zhvillim vjen pas demonstratash disa mujore që kanë sfiduar qeverinë e Iranit, të nxituara nga vdekja në 16 shtator e 22-vjeçares Mahsa Amini, ndërsa ndodhej në paraburgim, e arrestuar nga ajo që njihet si policia e moralit iraniane.

Që nga fillimi i protestave të paktën 450 persona janë vrarë si dhe mbi 18,000 janë arrestuar, sipas Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran.

Teherani zyrtar nuk ka publikuar shifra të viktimave apo arrestimeve dhe pretendon pa ofruar prova, se protestat janë nxitur nga armiqtë e tij të huaj, mes tyre Shtetet e Bashkuara.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE