Holanda i bllokoi anëtarësimin në Schengen, zemërohet Bullgaria!

vovalbania December 03, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Holanda i bllokoi anëtarësimin në Schengen, zemërohet Bullgaria!

Qeveria bullgare reagoi duke e quajtur “akt cinizmi” vendimin e Holandës për të bllokuar Bullgarinë vend anëtar të Bashkimit Europian që të hyjë në zonën Schengen ku bëhet lëvizja pa pasaporta. Një ditë më parë, kabineti i kryeministrit holandez, Mark Rutte njoftoi se është dakord që Rumania e Kroacia t’i bashkohen Zonës Schengen, por do të bllokojë anëtarësimin e Bullgarisë.

Holanda shpjegoi se vetoja ndaj këtij vendi, vjen “për shkak të dështimit të Sofjes që të arrijë rezultate të kënaqshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Për pranimin në Schengen të Bullgarisë, Kroacisë e Rumanisë, ministrat e Drejtësisë të BE-së do të vendosin gjatë takimeve të datave 8 dhe 9 dhjetor. Pranimi i anëtarëve të rinj në Schengen kërkon miratim unanim.

Presidenti bullgar, Rumen Radev:

Në vend të solidaritetit europian, Bullgaria po merr cinizmin.

Ministri i Brendshëm, Ivan Demerdzhiev:

Përpjekjet tona nuk duhet të neglizhohen. Përpjekjet tona nuk meritojnë fyerje!

Ministri i Drejtësisë, Krum Zarkov:

Holanda nuk ka të drejtë që të mos na dojë neve në Schengen. Mënyra si e bën këtë është absolutisht e papranueshme, pa bazë politike dhe e paligjshme.

Radev e Demerdzhiev theksuan se autoritetet kufitare të Bullgarisë po bëjnë “përpjekje të jashtëzakonshme për të ofruar siguri” në kufijtë e BE-së.

Holanda mund ta shqyrtojë ndryshimin e qëndrimit vetëm kur të bëhet e qartë se Bullgaria ka mekanizma efektivë të sundimit të ligjit, të aftë të trajtojnë korrupsionin e krimin e organizuar. Edhe Austria ka shprehur rezerva lidhur me anëtarësimin e Bullgarisë në Schengen. Kancelari Karl Nehammer tha se mbështesin anëtarësimin e Kroacisë, por janë kundër Bullgarisë e Rumanisë.

Komisioni Europian ka përsëritur se Bullgaria, Rumania dhe Kroacia kanë përmbushur kriteret e janë të gatshme për anëtarësim në Schengen. Parlamenti Europian u bëri thirrje shteteve të Unionit që pa vonesa t’i pranojnë.

Schengeni lejon njerëzit që të lëvizin lirshëm, pa kontrolle të dokumenteve identifikuese, përgjatë kufijve të brendshëm të shteteve anëtare. Por, ndonëse në BE, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda e Qiproja nuk janë pjesë e Schengen-it ndryshe nga Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Litenshtajni, edhe pse këto të fundit nuk janë pjesë e BE-së.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45307 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE