Leposaviç, tentohet grabitja e Bankës Kombëtare të Serbisë/Një i plagosur!

vovalbania December 08, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Leposaviç, tentohet grabitja e Bankës Kombëtare të Serbisë/Një i plagosur!

Në komunën Leposaviç, në veri të Kosovës, sot u tentua një grabitje me armë zjarri ndaj degës së Bankës Kombëtare të Serbisë dhe për pasojë u plagos një person. I lënduar mbeti një punonjës i kompanisë Henderson, përgjegjëse për transportin e parave të bankave. Raportohet se Policia e Kosovës nuk ishte në vendngjarje as gjysmë ore pas sulmit.

Më pas, aty shkuan pjesëtarë të EULEX-it, misionit të Bashkimit Europian për sundimin e ligjit. Ndërkohë, Policia e Kosovës është instanca e parë që duhet të ndërhyjë për të garantuar sigurinë, EULEX i dyti dhe KFOR-i, mision i NATO-s në Kosovë, i treti.

Radio Evropa e Lirë bën të ditur se tentoi të kontaktonte Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, por ende askush nuk iu përgjigj thirrjeve. Në fillim të muajit të kaluar, pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës e braktisën këtë institucion, në shenjë proteste ndaj një vendimi të qeverisë Kurti, për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Përveç policisë, serbët u larguan edhe nga institucionet e tjera në nivel lokal e qendror në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar paralajmëroi se një vendim i tillë ka krijuar vakum që mund të përkeqësojë situatën e sigurisë.

Ngjarja më e fundit në Leposaviç shënohet në vazhdën e incidenteve të përsëritura në veri të Kosovës. Në komunat me shumicë serbe, po bëhet gjithçka për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të 18 dhjetorit, për të zëvendësuar kryekomunarët e dorëhequr në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan.

KQZ-ja ka kërkuar që të ofrohet siguri për zyrtarët zgjedhorë. Ndërkaq, Presidenca e Kosovës tha se pasi të kenë marrë vlerësimet e Policisë së Kosovës do të vendosin për shtyrje apo mbajtje të votimeve. Një ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, tha se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Jeffrey Hovenier vuri në dukje se “siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë”. Po për situatën e sigurisë, shqetësimin nuk e fshehën as EULEX-i dhe ambasada gjermane në Prishtinë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47822 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE