Vuçiç: Do t’i drejtohemi KFOR-it me kërkesë për dislokimin e trupave në Kosovë

vovalbania December 10, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Dialogu Kosovë-Serbi, presidenti Vuçiç: Perëndimi propozon “kornizë të re”!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

“Ne u dakorduam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244, për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë, dhe vendimi i Qeverisë [për këtë çështje] do të merret të hënën ose të martën”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Ai tha se e di që kjo kërkesë do të refuzohet.

“Por, është mirë që një ditë nuk do të thonë se nuk e kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë qeveri nuk guxoi të kërkonte” dislokimin e trupave në Kosovë, tha presidenti serb.

Sipas tij, KFOR do të gjejë “arsye të panumërta” për të dëshmuar se janë në kontroll të situatës. Por, Vuçiq paralajmëroi se Serbia do të kërkojë mënyra të reja ligjore për të arritur qëllimin e saj.

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Lideri serb pretendoi se sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se si i komenton këto paralajmërime të Serbisë.

Paralajmërime të ngjashme për dërgimin e trupave në Kosovë kanë bërë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Por, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar një ditë më parë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste”, tha Osmani.

Këto paralajmërime vijnë në kohën kur në veri të Kosovës janë rritur tensionet, me serbët lokalë që kanë ngritur barrikada dhe me Policinë e Kosovës që ka shtuar praninë e saj në këtë pjesë të shtetit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47853 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE