Superiore/ Partizani barazon, Laçi rikthehet te fitorja, Kukësi nuk bën kthesë!

vovalbania December 11, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Superiore/ Partizani barazon, Laçi rikthehet te fitorja, Kukësi nuk bën kthesë!

Pas një pauze prej afro një muaji, ditën e sotme është rikthyer Abissnet Superiore teksa janë luajtur dy sfidat e para të javës së 13-të. Bie në sy suksesi i Teutës në transfertë ndaj Kukësit me rezultatin 0-1, teksa golin e vendimtar të sfidës e shënoi Lorenco Vila në minutën e 61-të.

E nis kështu me “këmbë të mbarë” trajneri Edi Martini eksperiencën e tij të katërt në krye të durrsakëve ndërsa synon që të ringrejë skuadrën pasi “Djemtë e Detit” janë në vështirësi këtë sezon dhe aktualisht pavarësisht tre pikëve ndaj Kukësit, sërish mbeten të fundit me 11 pikë. Gjithsesi, suksesi në “Kukës Arena” është një sinjal i mirë për vazhdimësinë.

Ndërkaq, vijon periudhën e errët edhe Kukësi që shkon në kuotën e pesë ndeshjeve pa fitore, nga të cilat koleksionon plot katër humbje. Aktualisht, verilindorët e drejtuar nga trajneri Enkeleid Dobi mbeten në kuotën e 12 pikëve në vend të tetë.

Ndërkohë, në sfidën tjetër, atë mes Bylisit dhe Laçit ishin kurbinasit ata që triumfuan me rezultatin 0-1. Vendimtar për skuadrën e drejtuar nga trajneri Gentjan Mezani ishte goli i shënuar nga Adeleke në minutën e 40-të të pjesës së parë. Pas këtij suksesi, Laçi ngjitet në kuotën e 17 pikëve dhe mban vendin e gjashtë në klasifikim, ndërsa nga ana tjetër, ballshiotët janë në vend të nëntë me 12 pikë.

Partizani “hedh në erë” një fitore e cila dukej e sigurt teksa të kuqtë po kryesonin me dy gola diferencë, por që në fund ndeshja në Elbasan Arena ndaj Erzenit u mbyll në barazimin spektakolar 3-3, me shijakasit që vijojnë ecurinë pozitive teksa nuk njohin humbje në pesë ndeshjet e fundit. Sfida në fakt nisi në “malore” për të kuqtë duke qenë se e panë veten në disavantazh në minutën e tetë pasi një goli të Nonatos.

Megjithatë, reagimi ishte i menjëhershëm dhe pas pesë minutave për të rikthyer ekuilibrat mendoi Tedi Cara që realizoi një gol mjaft të bukur nga distanca duke mos i lënë asnjë shans reagimi portierit Xhika. Ndërkohë, shansin më të mirë për të kaluar në avantazh, Partizani e pati në minutën e fundit të pjesës së parë ku të kuqtë fituan të drejtën e një 11-metërshi pas kontaktit të Xhikës me Mensah. Nga pika e bardhë u paraqit Xhuljano Skuka, por sulmuesi gaboi shënjestër dhe e dërgoi topin mbi kuadrat.

Gjithsesi, në fraksionin e dytë, Partizani ia doli të shënonte golin e dytë me anë të Arinaldo Rrapajt në minutën e 48-të. Shtatë minuta më pas, Skuka rikuperoi gabimin e pjesës së parë dhe pas një këmbëngulje të gjatë në zonën e shijakasve realizoi edhe golin e tretë të sfidës duke rikthyer qetësinë tek të tijtë.

Në minutat në vijim, shiu “rrëmbeu” skenën në Elbasan Arena dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta, por për fat të mirë sfida rifilloi. Gjithsesi, Erzeni nuk e kishte thënë fjalën e fundit dhe në kohën shtesë e cila ishte e konsiderushme për shkak të ndërprerjes nga shiu, gjetën golin e dytë me anë të Kadriut duke shkurtuar diferencat.

Në vijim, faktor u bë VAR dhe Erzeni fitoi penallti me Kahrimanovic që ekzekutoi saktë nga 11-metrat për t’i dhuruar një pikë të artë të tijve. Pas këtij rezultati spektakolar, Erzeni mbetet në vend të tretë me 21 pikë ndërsa Partizani është në vend të parë me 23 pikë, një më shumë se Tirana, por me bardheblutë që kanë një ndeshje më pak në llogari.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48174 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE