Vettingu nxjerr nga sistemi më shumë se gjysmën e gjykatësve e prokurorëve të vendit!

vovalbania December 11, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vettingu nxjerr nga sistemi më shumë se gjysmën e gjykatësve e prokurorëve të vendit!

Në vendin tonë, gati 70 për qind e gjykatësve dhe prokurorëve, deri tani i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit, i njohur dhe me termin vetting. Prej tyre vetëm më pak se gjysma kanë mundur të konfirmohen në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Të dhënat janë bërë të ditura nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) në një bilanc të procesit deri në fund të muajit të kaluar.

Sipas këtyre të dhënave, janë 214 shkarkime, 230 konfirmime në detyrë, 133 vendime për pushimin e procesit të rivlerësimit, nga të cilët 95 për dorëheqje dhe 38 për arsye të tjera. Pas vendimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelit (KPA), tre pushime për shkak të vendimeve të dorëheqjes janë ndryshuar në pushime për arsye të ndryshme, ndërsa për gjashtë raste të tjera u dha vendimi i pezullimit nga detyra.

Nga ana e tij Kolegji ka marrë 168 vendime, nga të cilat u lanë në fuqi 123 vendime të KPK-së ose gati 75 për qind e totalit të rasteve të shqyrtuara.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK është shkalla e parë e procesit të rivlerësimit, ndërsa siç dihet, fjala e fundit i takon Kolegjit të Posaçëm të Apelit, KPA, vendimet e të cilit nuk janë të apelueshme.

Deri më tani, janë 432 subjekte që i nënshtrohen rivlerësimit, për të cilët procesi është përmbyllur tërësisht. Prej tyre, 185 u konfirmuan në detyrë, 113 u shkarkuan dhe për 134 u mor vendimi i pushimit, 93 prej të cilëve për shkak të dorëheqjes.

Procesi i rivlerësimit do të duhej të përfundonte në qershor të këtij viti, por u shty me dy vjet e gjysmë, deri në fund të vitit 2024, duke i dhënë kohë organeve të vettingut që të përmbyllin punën. Vendimi për shtyrjen u mor në muajin shkurt nga Kuvendi i Shqipërisë, falë dhe këmbënguljes së ndërkombëtarëve, si të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe të Bashkimit Europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE