Veriu i Kosovës “zien”, sot në Prishtinë dy zyrtarë të lartë amerikanë Chollet dhe Escobar!

vovalbania December 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Veriu i Kosovës “zien”, sot në Prishtinë dy zyrtarë të lartë amerikanë Chollet dhe Escobar!

Në mesin e tensioneve në veri të Kosovës, sot në Prishtinë shkojnë dy zyrtarë amerikanë, për takime me drejtuesit më të lartë të vendit. Ata janë këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Takimet me zyrtarë të qeverisë pritet t’i zhvillojnë pasdite vonë, ndërsa me udhëheqësit e opozitës do të takohen nesër.

Në njoftimin zyrtar për vizitën e Chollet-it në Prishtinë u tha se “ai do të bisedojë me zyrtarët kosovarë për një sërë çështjesh, përfshirë përpjekjet e SHBA-ve mbi përparimin e integrimit të Kosovës në strukturat europiane dhe euroatlantike”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, përpara vizitës në Kosovë, Chollet nënvizoi se Shtetet e Bashkuara “besojnë se bisedimet mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve do të çojnë në njohje reciproke mes tyre”.

Prej dy ditësh, disa serbë kanë ngritur barrikada duke bllokuat rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak. Veprimet pasojnë arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës, i dyshuar për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, si dhe atyre të policisë.

Sulmet ndodhën teksa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut e Zubin Potok. Në fillim të nëntorit, kryetarët e tyre dhanë dorëheqje, në shenjë proteste për vendimin e Prishtinës lidhur me riregjistrimin e targave të makinave në RKS. Për këtë çështje, më vonë u arrit dakordësi, por serbët nuk u mjaftuan dhe kërkuan anulimin e zgjedhjeve lokale, fillimisht të planifikuara për më 18 dhjetor.

Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu për në prill të vitit të ardhshëm. Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të drejtuara nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri e shok-bomba. Zyrtarët serbë pretenduan se Prishtina po përpiqet “t’i dëbojë” serbët nga veriu.

“Gjakrat u ndezën” pasi presidenti i Sebisë, Aleksander Vuçiç paralajmëroi kërkesë drejtuar KFOR-it, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës. Rreth kësaj kërkese nuk pati reagim nga KFOR-i.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48297 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE