Gjendja në veri të Kosovës, Lajçak dhe Escobar sot në Beograd!

vovalbania December 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjendja në veri të Kosovës, Lajçak dhe Escobar sot në Beograd!

Pas Prishtinës, sot shkojnë në Beograd i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ai amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në kryeqytetin serb do të takojnë presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, në një takim që vjen në kohën e tensioneve në veri të Kosovës. Serbët refuzojnë largimin e barrikadave, duke bllokuar rrugët për në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak.

Ata i vunë në shenjë kundërshtimi për arrestimin e një ish-polici serb, i arrestuar si i dyshuar për përfshirje në një sulm kundër KQZ-së. Ky institucion po angazhohej në organizimin e zgjedhjeve në katër komuna në veri, fillimisht të planifikuara më 18 dhjetor, por më pas u shtynë për në prill 2023.

Fillimisht, Lajçak dhe Escobar takuan kryeministrin Kurti, ndërsa zyrtari europian u shpreh se “preferon rrugë diplomatike për heqjen e barrikadave në veri”. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë dhe refuzojnë në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë. Beogradi ka paralajmëruar se një kërkesë e tillë, nesër do t’i dorëzohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme mes Prishtinës dhe Beogradit është që palët të zgjidhin çështjet e tyre “përmes dialogut e të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”. “Eshtë e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që çështjet të zgjidhen në mënyrë paqësore, pasi dhuna nuk ka vend në rajon!”, – thuhet në njoftimin zyrtar.

Ekspertë të çështjeve të Kushtetutës dhe sigurisë vlerësojnë se bazuar në Rezolutën 1244 e në të tjera dokumente, Serbia nuk mund të dërgojë trupa në Kosovë. Paralajmërimet për dërgimin e trupave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka parë si “kërcënim me agresion” nga Beogradi, ndërsa presidentja Vjosa Osmani pati theksuar se “në territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48472 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE