Kredia për blerjen e banesave, në nivelin më të ulët prej janarit!

vovalbania December 15, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kredia për blerjen e banesave, në nivelin më të ulët prej janarit!

Kredia për blerjen e banesave nga sektori bankar po jep shenja ngadalësimi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për muajin tetor kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme ishte 2.95 miliardë lekë, vlera më e ulët që prej janarit të këtij viti. Kredia e re për blerjen e banesave nga familjet është gjithashtu në rënie me 8.6% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Tregu po jep shenjat e para se inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit po reflektohet në një ngadalësim të kredidhënies.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për kreditë e reja për blerje banesash në lekë në segmentin e individëve për tetorin u rrit për të gjashtin muaj radhazi dhe arriti nivelin 4.87%. Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, interesi mesatar i këtyre kredive është rritur me 1.4 përqindje.

Efekti i normave të interesit është më i ndjeshëm tek huamarrësit ekzistues që kanë kredi me interesa të ndryshueshme. Yield-i i bonove të thesarit, që është treguesi më i përdorur benchmark për kuotimin e interesave të kredive, në harkun e një viti është rritur me më shumë se katër pikë përqindje. Paralelisht, inflacioni i lartë këtë vit po gërryen aftësinë paguese të familjeve.

Kredia për shtëpi është rritur me ritme shumë të larta në dy vitet e fundit. Në fund të muajit tetor, portofoli i kredisë për blerje banesash i sektorit bankar arriti në 165 miliardë lekë ose rreth 1.4 miliardë euro, në rritje vjetore me 15.7%. Kërkesa për kredi është nxitur nga normat e ulëta të interesit dhe cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme. Nga ana tjetër, oferta ka qenë gjithashtu e bollshme, sepse sektori bankar po tenton të ulë përqendrimin në segmentin e biznesit, për të siguruar një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë.

Kredia për shtëpi ka qenë produkti më i lakmuar nga bankat, duke qenë se mundëson një rritje të qëndrueshme e afatgjatë të portofolit, por edhe raporte të ulëta të kredive me probleme, që përkthehen në një perceptim më të vogël rreziku. Rritja e çmimeve të banesave gjithashtu ka rritur besimin për vlerën e kolateraleve, duke kontribuar gjithashtu pozitivisht në vlerësimet e riskut. Por, rritja e shpejtë e normave të interesit këtë vit tashmë po i shfaq efektet e para në tregun e kredisë për shtëpi.

Edhe analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit janë shfaqur disa sinjale të para që tregojnë për ngadalësim të kredisë së këtij segmenti, sikurse vihet re nga shtrëngimi me bazë të gjerë i standardeve të kreditimit dhe rënia e kërkesës së individëve për financim.

Kjo ecuri është konfirmuar edhe nga bankat, të cilat evidentojnë rritjen e shpejtë të normave të interesit, koston e shërbimit të kredisë, shtrëngimin e përgjithshëm të kushteve të kreditimit, si dhe pritshmëritë për përkeqësimin e të ardhurave dhe aftësisë paguese, veçanërisht për individët me të ardhura më të ulëta.

Duke qenë se kredia bankare ka qenë një faktor me rëndësi të konsiderueshme në mbështetjen e kërkesës, frenimi i kreditimit pritet të sjellë një ngadalësim të rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45351 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE