Ministria e Mbrojtjes: Problematika nga shirat e natës në vend, por situata paraqitet normale!

vovalbania December 15, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ministria e Mbrojtjes: Problematika nga shirat e natës në vend, por situata paraqitet normale!

Ministria e Mbrojtjes informon se reshjet e rëna gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit, por situata paraqitet normale. Njoftimi zyrtar:

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, në Agjencinë e Mbrojtjes Civile reshjet e rëna gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit.

Në dispozicion të Bashkisë së Shkodrës, Agjencia e Mbrojtjes Civile vuri mjete të kalueshmërisë së lartë dhe ujore. Një mjet i kalueshmërisë së lartë dhe efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në ndihmë të banorëve në njësinë Ana e Malit, fshati Obot. Si pasojë e reshjeve të shumta orët e fundit aksi kryesor është bllokuar, duke u bërë i pakalueshëm nga mjetet e vogla.

Ndërkohë, vijon tërheqja e ujit në disa sipërfaqe toke në Bërdicë, Guri i Zi e Velipojë. Punonjës të ARRSH janë duke punuar për pastrimin e dherave në akset Theth-Breglumi, Darragjat-Shirq, njësia administrative Dajç, si dhe në rrugën e Lumit të Vlorës, në vendin e quajtur “Qafa e Pëllumbit”.

Tërheqje të ujit ka edhe nga sipërfaqet në qarkun e Lezhës, në njësinë Balldren, ish-këneta e Torovicës, në zonën e Laçit, ish-kënetën e Gjonëmit. Sipas raportimeve, hidrovorët punojnë normalisht, nën kuotat kritike. Kuotat e lumenjve Drin, Gjadër dhe Mat janë normale.

Në fshatin Kishavec, bashkia Dibër janë evakuuar disa bagëti, për shkak të depërtimit të ujit nga përroi i fshatit, teksa po punohet për riparimin e dëmtimeve në urën e Çikut.

Në fshatrat Toplane-Serme, njësia administrative Temal dhe në zonën e Vermoshit, punonjësit e OSHEE-së ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Ministria e Mbrojtjes informon se në të gjitha qarqet e tjera të vendit, situata paraqitet normale.

Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes është e gatshme t’u përgjigjet në çdo kohë kërkesave të pushtetit vendor, duke vënë në dispozicion të komuniteteve të gjitha kapacitetet e nevojshme.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48316 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE