Tensionet në veri të Kosovës, dita e 6-të e barrikadave/Situatë e qetë!

vovalbania December 15, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet në veri të Kosovës, dita e 6-të e barrikadave/Situatë e qetë!

Për të gjashtën ditë me radhë, disa serbë në veri të Kosovës po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë: Jarinjë e Bërnjak. Vendosja e tyre u nxit nga arrestimi i ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Prishtina thotë se ai dyshohet për “sulm terrorist” kundër zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, më 6 dhjetor.

Ishin episode të tilla që vunë në pikëpyetje situatën e sigurisë dhe çuan në shtyrje për në muajin prill të zgjedhjeve të planifikuara të 18 dhjetorit, për kryetarë të 4 komunave. Ato mbetën pa drejtues kur në fillim të nëntorit, serbët që ishin në krye dhanë dorëheqje, në shenjë proteste për vendimin e qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e targave serbe. Më pas, për çështjen u arrit dakordësi ndonëse u aktivizuan tensionet.

Nga raportimet në terren rezulton se situata në barrikada paraqitet e qetë. Shkollat fillore dhe të mesme, që në veri funksionojnë sipas sistemit serb, janë të mbyllura që nga e hëna e po kështu edhe objektet e hotelerisë. Shumica e qytetarëve që gjenden në barrikada, janë punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, nga sektorët e shëndetësisë dhe të arsimit. Siç mëson Radio Evropa e Lirë, në barrikada ata dalin me turne.

Policia e Kosovës është vendosur në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve, Tre Rrokaqiejt e në Kodrën e Minatorëve.
KFOR-i dhe EULEX-i po patrullojnë në Mitrovicën e Veriut, ndërsa pjesëtarët e kontingjentit polak të KFOR-it gjenden në afërsi të barrikadës së ngritur në fshatin Rudarë të Zveçanit. Kjo barrikadë ndodhet në rrugën Prishtinë-Leposaviç.

Pas vendosjes së barrikadave, serbët formuan Shtabin e Krizave. Sipas Igor Simiçit, nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të tyre në Kosovë, në këtë shtab bëjnë pjesë “përfaqësuesit politikë të popullit serb, figura të shquara, profesorë, mjekë e sipërmarrës”. Po ashtu, situata në Mitrovicën e Veriut është e qetë. Për sot, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka paralajmëruar dorëzimin e kërkesës drejtuar KFOR-it për dërgimin e rreth 1 mijë trupave serbe në Kosovë, por edhe sot, presidentja Vjosa Osmani e hodhi poshtë në fjalimin e mbajtur para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47668 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE