Tiranë, zbardhet krimi horror i para 5 viteve/U vra dhe u dogj për 1 milion lekë, ndalohet një grua!

vovalbania December 15, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Tiranë, zbardhet krimi horror i para 5 viteve/U vra dhe u dogj për 1 milion lekë, ndalohet një grua!

Zbardhet një vrasje e 2017-ës në vendin e quajtur “Kodër Shupal” në Tiranë. Falë inteligjencës informative, rifilluan hetimet për vrasjen dhe djegien e një personi, i cili u identifikua si shtetasi Menduh Shaban Kurt-Deda i vitlindjes 1956. Ky shtetas ishte nga Dibra, por banonte në Lukovë të Sarandës. Krimi makabër lidhej me një borxh të pashlyer në vlerën 1 milion lekë të reja ndaj shtetases Marjeta Karaj, me të cilën viktima kishte krijuar një organizatë. 56-vjeçarja është drejtoreshë e qendrës “Ndihmë dhe kujdes për fëmijët jetimë të ushtarakëve, brenda dhe jashtë vendit”.

Nga hetimet rezultoi se Kurt-Deda u rrëmbye nga djali i Marjetës, Besmir Karaj, 34 vjeç dhe shoku i tij Gazmir Ngota. Pasi u dhunua, u dërgua në një zonë pyjore, ku e lidhën me litar dhe e dogjën për së gjalli. Policia e Tiranës ndaloi Marjeta Karajn e Gazmir Ngotën, ndërsa 34-vjeçari Besmir Karaj u shpall në kërkim policor.

Strukturat hetimore të DVP Tiranë, si rezultat i indicieve të marra falë inteligjencës informative, i kanë kërkuar Prokurorisë së Tiranës, rifillimin e hetimeve për një ngjarje kriminale, kundër personit, të ndodhur në vitin 2017, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, Tiranë.

Strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës të DVP Tiranë, finalizuan operacionin policor të koduar “Asgjë nuk harrohet”, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimin i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 16.05.2017, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku u gjet një kufomë e paidentifikuar, e seksit mashkull, pjesërisht e djegur dhe pjesërisht e dekompozuar.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, mbështetur nga inteligjenca policore, si rezultat i hetimit me metoda speciale, administrimit e vlerësimit në kohë të provave ligjore, si dhe bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Nr. 4 dhe Laboratorin e Policisë Shkencore, u bë i mundur identifikimi i kufomës së gjetur. Kjo kufomë i përket shtetasit Menduh Shaban Kurt-Deda, lindur më 03.09.1956, në fshatin Sohodoll, Dibër dhe në kohën e ngjarjes, banues në Lukovë, Sarandë.

U bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje, si dhe ndalimi i dy prej tyre, konkretisht i shtetasve: G.N, 39 vjeç dhe M.K., 56 vjeçe, të dy banues në Tiranë.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi B. K, 34 vjeç, banues në Tiranë, djali i shtetases së arrestuar M. K. (aktualisht jashtë shtetit)Nga tërësia e veprimeve hetimore, të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 4682/2017, të rifilluar, rezulton se të 3 këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut, shtetasin Menduh Kurt-Deda, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi të pashlyer, e kanë marrë me forcë atë, në automjet, dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Më pas, shtetasit B. K. dhe G. N., e kanë transportuar shtetasin Menduh Kurt-Deda, në një zonë pyjore, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin, e kanë djegur atë me lëndë djegëse. Vijon puna për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasit B. K, si dhe për dokumentimin e plotë me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE