“Bones And All” – filmi i ri i Luca Guadagnino (“Call Me By Your Name”) do t’ju lërë pa fjalë… dhe me stomak të trazuar. Kritikë.

vovalbania December 20, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Bones And All” – filmi i ri i Luca Guadagnino (“Call Me By Your Name”) do t’ju lërë pa fjalë… dhe me stomak të trazuar. Kritikë.

Hiqi mishin dhe kockat filmit të ri të një prej regjisorëve italianë më të ndjekur të viteve të fundit dhe ai kthehet në një histori tipike dashurie të dy kriminelëve, i ngjashëm me ADN-në e “Badlands” apo “Bonnie and Clyde”.

Ngjarja ndodh në vitet e tij të preferuara – ’80-tat në amerikën rurale, edhe pse semantika e historisë është e pakohë. Poezia dëshpëruese e miliona njerzve që jetojnë në skamje, duke shkuar në zgjedhje të paimagjinueshme për një human. Njësoj si Ukrainasit që vdisnin urie në Bashkimin Sovjetik të Stalinit në vitet 30, ata që për mbijetesë hanin fëmijët e tyre; Maren (një Taylor Russell magnetike) dhe Lee (muza e Guadagninos – Timothée Chalamet) janë kanibalë. Mbijetesa e tyre varet nga mish-ngrënia e njerzve të tjerë.

Nëse filmin do e shihni mbas “Dahmer” gjasat janë që skenat të mos ju duken edhe aq shokuese, në rast të kundërt,  nëse keni stomak të dobët, ju paralajmëroj, ky film nuk është për ju. Guadagnino vazhdon të zgjedhë një kuadër të pazakontë për filmat e tij, me simetri të vazhdueshme, pan-e të shpejta, dhe paturpësisht i pacipë, aq më shumë kur vjen puna në këtë film. Aktin e mishngrënies ai e tregon me të gjithë kafshërinë e tij. Po aq edhe rrezikun që i kanoset çiftit kryesor nga të ngjashmit e tyre, performanca e Mark Rylance si Sully është groteske e po aq e jashtëzakonshme. Kombinimi i dramaticitetit dhe humorit është një balancë e hollë e arrirë. Pesha emocionale e momenteve kur Maren zbulon natyrën e vërtetë të saj është një vorbull emocionesh shkatërrimtare.

Filmi mund të përcaktohet edhe si një distilim i temave të punëve të mëhershme të Guadagninos. Gërshetimi i ushqimit dhe erotikës lidhet me “I Am Love”; dhimbja e dashurisë së parë me “Call Me By Your Name”; impulset gjakatare të zhanrit të çojnë tek “Suspiria”. Pavarësisht kësaj, ai e ka kaluar veten me këtë film.

Me të gjitha gjasat “Bones And All” do të jetë pjesë e ceremonive të çmimeve kinematografike në muajt që do të vijnë, duke përfshirë këtu edhe Oscar-ët; por edhe sikur të mos ishte, ngelet një nga filmat autor më të fortë dhe më të mirë të vitit që po lëmë pas.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47606 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE