Tensionet në veri të Kosovës, KFOR: Kemi mjetet e duhura për të penguar dhunën!

vovalbania December 21, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet në veri të Kosovës, KFOR: Kemi mjetet e duhura për të penguar dhunën!

KFOR-i thotë se “beson fuqishëm se përdorimi i dhunës dhe sjelljes agresive në veri, për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë, nuk është i pranueshëm dhe perceptohet si provokim”, duke shtuar se “është përgjegjësi e të gjithëve që të garantojnë sigurinë kolektive të rajonit”. Sot në njoftimin për media të këtij misioni, thuhet:

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, deklaroi se KFOR-i ruan aftësitë dhe mjetet e duhura për të penguar dhunën në rajon e për të siguruar se ekzistojnë kushte që inkurajojnë dialogun e mëtejshëm politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit për të ecur përpara, me lehtësimin e Bashkimit Europian.

KFOR-i bën të ditur se “ka shtuar praninë në Jarinjë”.

Kjo rritje ishte e nevojshme, duke pasur parasysh raportimet e fundit për praninë e mundshme të grupeve të organizuara kriminale që u përfshinë në protesta.

Tre ditë më parë, në anën serbe pranë Jarinjës, u zhvillua një protestë e thirrur nga grupe të djathta serbe, në shenjë mbështetjeje për barrikadat që kanë ngritur serbët në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

KFOR-i shton:

Nuk raportohet për të lënduar dhe tensionet janë ulur, pas koordinimit ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë e drejtimit të KFOR-it.

Në njoftim, përmend edhe stërvitjen më të fundit ushtarake, të mbajtur më 19 dhjetor pranë bazës në Novoselë.

Manovrat u kryen për të trajnuar e testuar aftësitë e njësive të KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes, duke përdorur mjetet në dispozicion (automjete të rënda logjistike dhe pajisje inxhinierike). Për shkak të kompleksitetit të mjedisit aktual operativ, është thelbësore që këto sisteme e aftësi të testohen, pasi zbusin rrezikun kolektiv nëse marrëveshjet e ardhshme politike nuk përmbushen.

Në terren ka shumë aktorë të përkushtuar për të shënuar përparim, por KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të reaguar. Ne jemi të përgatitur të ndërhyjmë, nëse është e nevojshme. Por, ne parandalojmë përshkallëzimin, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.

Autoritetet serbe i kërkuan KFOR-it dërgimin e deri në 1 mijë pjesëtarëve serbë të sigurisë në Kosovë, bazuar në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Misioni i NATO-s po e shqyrton. Kryeministri Kurti pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat, ndërsa Shtetet e Bashkuara, që të hiqen nga personat që i kanë ngritur.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45348 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE