Me zgjedhjen e Marjana Seminit, plotësohet Gjykata Kushtetuese/Një mori çështjesh presin shqyrtim!

vovalbania December 23, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Me zgjedhjen e Marjana Seminit, plotësohet Gjykata Kushtetuese/Një mori çështjesh presin shqyrtim!

Profesore e shkencave juridike, Marjana Semini, u emërua anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, në mbyllje të votimit që zhvilloi Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit për këtë vit. Ajo mori 58 vota nga 80 deputetë, që morën pjesë në votim, Ardian Dvorani 14 vota e Arta Vorpsi 2 vota, ndërsa 6 u cilësuan “të pavlefshme” nga komisionit të votimit.

Nga votimi doli se asnjë nga kandidatët nuk i ka marrë dot votat e kërkuara nga ligji, megjithatë sipas Kushtetutës, Marjana Semini, e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, emërohet anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Në nenin 125, Kushtetuta përcakton që nëse asnjë prej kandidatëve të përzgjedhur nga KED nuk merr shumicën e cilësuar prej 3/5 ose 84 vota të deputetëve, atëherë kandidati i renditur i pari nga KED emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e opozitës shprehën dyshime se shumica socialiste po përpiqej të ndikonte me presione mbi votat e opozitës në votimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se “ishte e pakuptueshme ngutja e socialistëve për të kryer këtë votim, kur Partia Socialiste nuk i ka 84 vota” dhe se “po përpiqej të peshkonte vota rreth e rrotull”.

Ndërsa deputeti Gazmend Bardhi tha se opozita ishte e shqetësuar, “mbi përpjekjen e socialistëve për ta shndërruar Gjykatën Kushtetuese në seksion të Partisë Socialiste, duke porositur truke dhe presione nga oligarkë ndaj deputetëve opozitarë, për të favorizuar kandidaturën e Ardian Dvoranit”.

Kryeministri Rama deklaroi:

Kjo është një fantazi në kokën e deputetëve të opozitës. Deputetët socialistë do të votojnë krejt të lirë zgjedhjet e tyre midis kandidatëve, sepse grupi parlamentar nuk ka marrë ndonjë vendim për të mbështetur njërin prej kandidatëve.

Deklaratat mohuese të Ramës shkaktuan nervozizëm te deputeti Bardhi, i cili këmbënguli se shumica kishte bërë presion ndaj deputetëve opozitarë dhe pas ngritjes së toneve fyese mes palëve, ky i fundit u përjashtua nga seanca.

Për mëse 22 vjet, anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, profesore Marjana Semini ka qenë drejtuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, pedagoge në Universitetin e Tiranës e në Shkollën Kombëtare të Avokatisë. Autore e një serie botimesh profesionale e akademike, po ashtu është eksperte në një mori projektesh të institucioneve shqiptare e ndërkombëtare mbi të drejtat njerëzore, civile dhe të pronësisë intelektuale, avokatisë, noterisë, të drejtës tregtare. Me emërimin e Marjana Seminit, Gjykata Kushtetuese u plotësua me të gjithë anëtarët e saj. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë dhe deri sot kishte 8.

Sipas Kushtetutës, tre anëtarë emërohen nga Presidenti, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Kushtetueses qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Gjykata Kushtetuese u plotësua 10 ditë më parë edhe me një tjetër anëtar të ri, juristi Gent Ibrahimi. Ai u betua më 13 dhjetor përpara presidentit Bajram Begaj, në një ceremoni të posaçme.

Gjykata Kushtetuese nuk ushtroi dot funksionet e veta për disa vite, sepse procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe dorëheqjet që pasuan, e lanë atë vetëm me kryetaren Vitore Tusha. Ndërsa tashmë gjykata është me numrin e plotë të anëtarëve për të trajtuar një mori çështjesh që dorëzohen nga palë të ndryshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48251 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE