Festat e fundvitit, Policia me masa shtesë/Synohet lehtësimi në pikat kufitare!

vovalbania December 24, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Festat e fundvitit, Policia me masa shtesë/Synohet lehtësimi në pikat kufitare!

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike përgjatë festave të fundvitit, natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri 2023, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë, për të siguruar mbarëvajtjen e festave dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe ato rrugore, duke qenë se që nga dita e djeshme, ka rritje të numrit të shtetasve që hyjnë më Shqipëri, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar. Masa shtesë janë marrë edhe për të parandaluar përdorimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike (fishekzjarre, kapsolla etj).

Eshtë hartuar plani i përgjithshëm i masave, nëpërmjet të cilave synohet rritja e sigurisë në komunitet, në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë, si dhe parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, kontrolli ndaj personave me precedentë kriminalë, i automjeteve të tyre, si dhe i ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative

Po ashtu, masa janë marrë edhe për sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale, dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale. Policia ka shtuar sportelet dhe burime njerëzore, në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Në pikat tokësore, po bashkëpunohet me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e rradhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit. Eshtë shtuar kontrolli në pikat e kalimit kufitar dhe patrullimet në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Nga ana tjetër, po kryhet monitorimi i akseve rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarre dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese, rritja e prezencës së shërbimeve të Policisë, në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve, janë të tjera masa të ndërmarra nga Policia.

Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll, të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh. Në vijim, për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë organizuar shërbime policore shtesë, në banka, zyra të këmbimit valutor, tregje dhe objekte të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.

Strukturat e Policisë po bashkëpunojnë edhe me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare. Ndërkohë shërbimet e lëvizshme operacionale (FLO) të Policisë së Shtetit, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët, dhe në këtë kuadër i fton ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast paligjshmërie.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48435 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE