Rezultati i politikave të sprapsjes që mban ende gjallë kujtimet e shqiptarëve, “Mbytja e Anijes, Vdekje në Mesdhe”!

vovalbania December 26, 2022 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Rezultati i politikave të sprapsjes që mban ende gjallë kujtimet e shqiptarëve, “Mbytja e Anijes, Vdekje në Mesdhe”!

Në orën 18.57 të 28 marsit 1997 një motovedetë e vogël shqiptare e stërngarkuar me emigrantë, Katëri i Radës, goditet me bash nga një korvetë e Marinës ushtarake italiane, Sibilla. Brenda pak minutash anija shkon në fund të Kanalit të Otrantos. Është mbrëmja e së Premtes së Shenjtë. Të mbijetuarit janë vetëm 34, të vdekurit 57, në pjesën më të madhe gra dhe fëmijë. 24 trupa nuk do të gjenden kurrë. Është njëra nga mbytjet më të tmerrshme të anijeve që kanë ndodhur në Mesdhe’ pas viteve ’90. Por sidomos, është tragjedia më e madhe në det e shkaktuar nga politikat e sprapsjes. Alessandro Leogrande-ja ka hetuar gjatë mbi mbytjen e anijes të së Premtes së Shenjtë, ka takuar të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, ushtarakët, avokatët, aktivistët e shoqatave antiraciste dhe është endur nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë prej nga ishin nisur emigrantët.

Mbytja e Katërit të Radës përbën një gur prove për të gjitha mbytjet e anijeve të tjera në të ardhmen, jo vetëm sepse qe rezultati i politikave të sprapsjes dhe të histerisë institucionale që i shkaktoi. Jo vetëm sepse termat e çështjes sot janë po ato. Jo vetëm sepse, me cinizëm të plotë apo mospërfilljen më të madhe, një forcë politike në qeveri vazhdon të flasë për bllokimet detare në Mesdhe. Mbytja e Katërit të Radës është një gur prove, sepse, në ndryshim nga shumë të tjera të mbështjella në heshtje, është e mundur ta rrëfesh.

“Tragjedia më e madhe e ndodhur në det e shkaktuar nga marrëveshje midis shteteve dhe nga politika sprapsjeje. Alessandro Leogrande-ja na e tregon te “Mbytja e anijes” duke përzier eposin e Conrad-it dhe paraqitjen dokumentaristike të kujdesshme të “Me gjakftohtësi” të Truman Capote-s.

Një Shkrim nga Gjergji Kajana, siç është botuar në www.shqiptariiitalise.com

E kam njohur Alessandro Leogranden në formën e një libri, në raftet e një librarie. Libri është “Mbytja e anijes. Vdekje në Mesdhe”, botuar në Itali 2011-n. Në të rrëfehet historia që askush tjetër veç tij s’e ka treguar as më parë e as më pas: mbytja e anijes së vogël “Katër i Radës” në Kanalin e Otrantos në 28 mars 1997.

Leogrande, i cili u nda nga ne vetëm para një jave [shënim i Top Albania Radio; Alessandro Leogrande u nda nga jeta më 26 Nëntor 2017 në Romë, Itali në moshën 40 vjeçare nga një arrest kardiak. Në nder të tij, autoritetet lokale të Tiranës i kanë vënë emrin e tij një rruge në Kodrat e Parkut të Madh të Liqenit], meriton të kujtohet jo vetëm për këtë vepër. Por për këtë libër duhet ta kujtojmë ne si shqiptarë: duke shkruar “Mbytja” ai nuk ka lejuar që të qendrojë e fundosur një pjesë e dhimbshme e historisë së Shqipërisë bashkëkohore.

”Mbytja” është një hetim mbi shkaqet e shkaktarët e fundosjes së anijes me refugjatë shqiptarë. Leogrande ka mbledhur dëshmitë e të mbijetuarve dhe ka djekur gjyqin ndaj dy të akuzuarve si shkaktarët e tragjedisë: komandanti italian i korvetës ”Sibila” Laudadio e komandanti i ”Katrit” Xhaferri. Mbushur me 120 vetë (teksa mund të transportonte maksimumi 9 vetë), anija u nis nga Vlora në orën 3 të pasdites së 28 marsit 1997. Si pasojë e bllokadës detare që Italia i kishte vendosur Shqipërisë 3 ditë më pare (bllokadë pranuar nga qeveria Fino) anija u kthye pak pas nisjes në objekt ndjekjeje prej dy anijesh luftarake italiane, “Zeffiro” e “Sibilla”. Qëllimi i ndjekjes ishte kthimi i saj pas në Vlorë, qoftë edhe duke përdorur mjete ekstreme si shoqërimi I detyruar. Në njëfarë pike të ndjekjes një helikopter fluturon sipër anijes, ndërsa pak më pas “Sibilla” i afrohet frikshëm. Atëherë ndodh përplasja mes dy anijeve e “Katri” fundoset në Adriatik. Të vdekurit shqiptarë janë 81, 31 mes të cilëve të mitur nën 16 vjeç. Ja prej pjesëve më prekëse të rrëfimit të Leograndes: “Elvis Isufi është i vetmi fëmijë që i shpëtoi mbytjes së anijes. I vetmi që nuk preku i pajetë fundin e Mesdheut. I vetmi i mbijetuar i asaj që mund ta quajmë një fëmijëvrasje masive, shkaktuar pas orësh ndjekjeje. Gjithë fëmijët e tjerë – pikërisht si në tregimin  ”Fyelltari i Hamlinit” – gjetën vdekjen të mbyllur në një stivë anijeje që u kthye në një shpellë nga e cila mundi të shpëtojë vetëm ai. Të mendosh për një fëmijë 11-vjeçar që, teksa anija po mbytet pasi është kthyer përmbys, arrin të hapë një dritare xhami dhe të dalë jashtë anijes – duke mposhtur trysninë e ujit – për ta rigjetur veten në botën e të gjallëve është diçka që të lë pa fjalë”.

Cilat ishin shkaqet e përplasjes që shkaktoi tragjedinë? Libri tregon qartë shkakun në atë që është shpallur edhe në gjyqin për çështjen: afrimi mëse i pakujdesshëm i “Sibilla”-s pranë “Katrit të Radës” në tentativën për ta detyruar të kthehej në Shqipëri. Leogrande heton më thellë e na rrëfen se krerë të Marinës italiane ishin bashkërenduar mes tyre pas tragjedisë për t’i fshehur të vërteta gjyqtarëve mbi mënyrat e zbatimit të bllokadës e për të fajësuar për përplasjen komandantin e “Katrit”.  Gjyqtarët e çështjes, hetuar në Itali, zbuluan se kishte pjesë boshe në bobinat e regjistrimit të bisedave mes zyrtarëve të Marinës pasditen e tragjedisë. Si në çdo mister italian, pika të errëta shqoqërojnë edhe mbytjen e shqiptarëve.

Në libër ngrihet hipoteza – e mirëdokumentuar – se “Sibilla” mund t’i jetë afruar rrezikshëm “Katrit” (afrim që lehtësoi përplasjen) për ta bllokuar përmes një kavoje metalike e më pas ta rikthente me forcë drejt ujërave shqiptare. Rikonjicioni me helikopter mund të ketë qenë  i finalizuar në përcaktimin e një pike të anijes ku mund të hidhej kavoja metalike. Në gjyq u njohën si fajtorë të tragjedisë komandantët Laudadio e Xhaferri.

Leximi i “Mbytjes” është një prej mënyrave më të sinqerta për të mbajtur gjallë kujtimin e mikut të shqiptarëve Leogrande, një shkrimtar që hedh dritë të fortë mbi një tragjedi shqiptare.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45349 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE