Petkoviç: Vuçiç u kërkoi serbëve që të tërhiqen nga barrikadat!

vovalbania December 28, 2022 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Petkoviç: Vuçiç u kërkoi serbëve që të tërhiqen nga barrikadat!

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tregoi se presidenti i Serbisë, u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiçen nga barrikadat.

Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.

“Pas këtyre deklaratave zyrtar [të komunitetit ndërkombëtar], presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiç zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut, dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërko që populli ynë të tërhiçet nga barrikadat”, tha Petkoviç gjatë një konference për media më 28 dhjetor.

Petkoviç tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, që ishin në Beograd, do të kthehen në Kosovë për të biseduar me serbët që janë në barrikada dhe pas orës 19:00 do të takohen me Vuçiçin, në territorin e Serbisë, ku do të kuptohet se çfarë vendimi kanë marrë serbët e veriut, sa i përket çështjes së tërheqjes nga barrikadat.

Ai tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.

“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiçen nga barrikadat”, tha Petkoviç.

Petkoviç e cilësoi si lajm të mirë ndryshimin e masës së sigurisë të Dejan Pantiçit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Është një fitore e madhe, mbi të gjitha për popullin serb në Kosovë”, tha ai.

Ish-policit serb, Dejan Pantiç, autoritetet në Kosovë ia ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Pantiç ishte arrestuar më 10 dhjetor në Jarinjë, nën dyshimet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Serbët vendosën disa kushte për largimin e barrikadave, sikurse lirimi i serbëve të arrestuar dhe “tërheqjen” e listave të supozuara me emrat e serbëve që do të arrestoheshin nga Policia e Kosovës.

“Kemi marrë një deklaratë të përbashkët zyrtare nga SHBA-ja dhe BE-ja në të cilën është përmbushur qartë kërkesa e dytë e serbëve, ku pjesa më e rëndësishme është të konfirmohet se nuk ka lista për arrestimin apo ndjekjen penale të shtetasve serbë nga Kosova për pjesëmarrje. në protesta paqësore apo barrikada”, tha Petkoviç.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, thanë më 28 dhjetor se kanë marrë garanci nga autoritetet në Kosovë se nuk ka lista me emrat e serbëve që do të arrestohen apo përndiçen që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.

“Me këtë deklaratë mund të konfirmoj se njerëzit tanë në barrikada janë të mbrojtur”, tha Petkoviç gjatë një konference për media.

Petkoviç tha gjithashtu se elementi i tretë i kërkesave të serbëve nga Kosova janë garancitë që Serbia i ka marrë nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Fjala është për konfirmimin dhe garanci krejtësisht të reja të lëshuara nga KFOR-i, në të cilat qartë thuhet dhe konfirmohet se Forcat e Sigurisë të Kosovës nuk mund të shkojnë në veri të Kosovës pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it dhe katër përfaqësuesve të komuniteteve lokale nga veriu i Kosovës”, tha Petkoviç.

Ndryshe, Kosova është e vetëdijshme se ka marrëveshje me NATO-n që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe kjo nuk ka qenë çështje e diskutimit.

Mirëpo, deri më tani Serbia ka qenë zëshëm kundër dërgimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, një marrëveshje për një gjë të tillë nuk është arritur kurrë.

Petkoviç shtoi se Serbia do të vazhdojë të luftojë për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe mbi të gjitha, për formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë Kurti të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës, pasi zyrtarët serbë në veri të Kosovës, në nëntor u tërhoqën nga institucionet.

Arrestimi i Pantiçit nxiti disa serbë lokalë të bllokonin rrugët në veri. Për shkak të barrikadave të vendosura, që nga 10 dhjetori, dy pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – janë të mbyllura.

Më 27 dhjetor, për shkak të barrikadave të vendosura në territorin e Serbisë, u mbyll edhe pika tjetër kufitare, ajo e Merdares.

Për vendosjen e barrikadave, Kosova ka fajësuar “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia.

Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47673 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE