Sekretari i Financave nën hetim, ministrja Ibrahimaj: Jam në dijeni, Prokuroria do dalë me rezultate!

vovalbania December 28, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sekretari i Financave nën hetim, ministrja Ibrahimaj: Jam në dijeni, Prokuroria do dalë me rezultate!

Brenda 3-mujorit të parë të vitit të ardhshëm pritet që në Kuvendin e Shqipërisë të miratohet ligji për bastet online. Këtë e deklaroi sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat, kushtuar situatës ekonomike në vendin tonë.

Ne kemi punuar intensivisht gjatë muajve të fundit në ligjin për bastet sportive, me qëllim lejimin e basteve sportive online, jemi në proces të finalizimit gjatë vitit të ardhshëm e do të fillojmë procedurat e miratimit të ligjit. Brenda 3-mujorit të parë të 2023-shit, ky ligj pritet të miratohet në Parlament.

Ndërsa analizoi të ardhurat për tremujorin e tretë të vitit, ministrja Delina Ibrahimaj shtoi edhe se vendi ynë ka rritjen më të lartë në rajon. Ndërkohë, sektori i ndërtimit dhe ai i bujqësisë kanë pasur ndikim kryesor në këtë rritje.

Ky ka qenë një vit që ka shfaqur ecuri pozitive ekonomike dhe shifrat e INSTAT-it e tregojnë këtë. Për tremujorin e tretë, shifrat e rritjes ekonomike tregojnë se rritja ekonomike ishte 4.02%, duke e çuar rritjen e nëntë mujorit në 4.23 për qind. Këto janë rritje reale të ekonomisë, janë të zhveshura nga rritja e çmimeve.

Pritshmëria jonë për mbylljen e vitit 2022 vijon të mbetet në 3.7 për qind dhe ecuria e tremujorit të 4-rt e mbështet këtë rritje ekonomike. Në Shqipëri është shfaqur me një rritje 4% e cila është dhe rritja më e lartë në rajon, Kosova është rritur me 2.7 për qind, Maqedonia e Veriut me 2, Mali i Zi me 2.8 për qind dhe Serbia me 1%.

Norma e inflacionit për nëntorin është 7.9% nga 8.3 për qind në tetor duke u ulur për herë të parë në këtë vit. Ndjeshëm më i ulët se vendet e rajonit.

Po ashtu, Ibrahimaj konfirmoi se “Për shpërdorim detyre”, Prokuroria po heton Sekretarin e Përgjithshëm të dikasterit që drejton. E pyetur nga gazetari i Top Channel, Geri Kolgega, Ibrahimaj tha se është në dijeni të rastit e se Prokuroria do të japë rezultatet e hetimit. Por, nuk dha shumë detaje.

Top Channel ka zbuluar se Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave është nën hetim nga Prokuroria në lidhje me dëmshpërblimin për herë të dytë të një ish-objekti shtetëror e që përllogaritet se i ka shkaktuar Buxhetit, një dëm në vlerën e 480 milion lekëve. A jeni në dijeni për këtë hetim?

Ibrahimaj: Sigurisht që jam në dijeni dhe Prokuroria do të bëjë punën e vet. Ministria e Financave dhe Ekonomisë kryen pagesa, në funksionin e saj primar ka kryerjen e pagesave përmes Thesarit, për llogari të qeverisë. Prokuroria po bën punën dhe jam e bindur që do të dalë me rezultatet e veta.

Por, pse është nën hetim Arlind Gjokutaj?

Ka dyshime se sekretari me dy drejtorë të këtij institucioni kanë shpërdoruar detyrën sipas një hetimi të hapur ndaj shtetasit Ilir Thana, i cili u kompensua për privatizimin e një ndërmarrjeje shtetërore pavarësisht se ishte paguar dhe herë tjetër. Prokuroria e Tiranës po heton disa funksionarë pranë Ministrisë së Financave për këtë çështje.

Nga hetimet e deritanishme të prokurorit Ndini Tavani, shuma 480 milion lekë që iu kalua shtetasit Thana vlerësohet si një vjedhje në  Buxhetin e Shtetit. Dyshohet se për mashtrimin, Thana u ndihmua nga zyrtarë e përmbarues, edhe ata nën hetim. Për Top Channel, burime zyrtare thanë se shkresa që vë në pozitë të vështirë Sekretarin e Përgjithshëm të Financave, Arlind Gjokutaj mban datën 14 shtator 2022.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45364 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE