U arrestua për trafik narkotikësh, AKSHI shkarkon specialisten e këtij institucioni!

vovalbania December 29, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
U arrestua për trafik narkotikësh, AKSHI shkarkon specialisten e këtij institucioni!

Operacioni i antidrogës “Restart” në Korçë që çoi në tre të arrestuar e sekuestrimin e 58 kilogramëve kanabis, sasi që do të trafikohej në Maqedoninë e Veriut, mori edhe më shumë vëmendje pasi mes të prangosurve ishte edhe Erisa Fero, punonjëse pranë sektorit përkatës të e-Albania/s, në nivelin Specialiste.

Në një reagim për këtë ngjarje, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit informon se menjëherë nisi procedurën për shkarkimin nga puna të 28-vjeçares, banuese në Tiranë. Në njoftimin e AKSHI-t thuhet:

Në vijim të deklaratës së Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, për finalizimin e operacionit “Restart”, me arrestimin e tre shtetasve, ndër të cilët dhe znj.Erisa Fero, AKSHI njofton se bazuar në legjislacionin shqiptar në fuqi (Kodi i Punës), ka nisur menjëherë procedurën për shkarkimin nga puna të këtij personi. Znj.Erisa Fero, ishte punonjëse pranë sektorit përkatës të e-Albania, në nivelin Specialiste. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, dënon çdo akt të kundraligjshëm dhe siguron se do të jetë gjithmonë mbështetës në proceset e institucioneve që veprojnë në mbrojtje të ligjit.

Më herët, policia doli me një deklaratë për media, duke informuar lidhur me operacionin “Restart”:

Finalizohet faza e trembëdhjetë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar 1 vit më parë. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, në drejtim të shtetit maqedonas. Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Sekuestrohen 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur më datë 07.11.2021, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pogradec, finalizuan me sukses fazën e trembëdhjetë të tij.

Si rezultat i saj, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve:  E. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë; M. K., 17 vjeç, banues në Krujë; L. B., 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë. Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.

Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës. Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45360 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE