Kosto e jetesës në Europë për 2023, Beogradi e Tirana më të shtrenjtët në rajonin e Ballkanit!

vovalbania January 09, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kosto e jetesës në Europë për 2023, Beogradi e Tirana më të shtrenjtët në rajonin e Ballkanit!

Ndërsa jetesa po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, Numbeo, databaza më e madhe e të dhënave të kostove në botë, publikoi indeksin e kostos së jetesës për vitin 2023. Ky indeks që nuk përfshin qiranë është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, duke përfshirë artikujt ushqimorë, restorantet, transportin e shërbimet komunale. Indeksi i kostos së jetesës nuk përfshin shpenzimet e akomodimit si qiraja ose hipoteka.

Ky indeks llogaritet në raport me Nju Jorkun, që do të thotë se për qytetin amerikan, çdo indeks duhet të jetë 100(%). Nëse një qytet ka një Indeks të Kostos së Jetesës prej 120, kjo do të thotë se Numbeo ka vlerësuar se është 20% më i shtrenjtë se Nju Jorku (duke përjashtuar qiranë). Qytetet më të shtrenjtë në Europë janë në Zvicër. Baseli kryeson renditjen me indeksin prej 127% (27% më i shtrenjtë se mesatarja e Nju Jorkut), e ndjekur nga Zyrihu (120.8), Lozana (119.7), Zug dhe Bern, po në Zvicër.

Të shtrenjta janë dhe qytetet e vendeve nordike, ku rekordin e mbajnë ato norvegjeze, si Oslo, Stavanger, Bergen, duke vijuar me Islandën e Danimarkën.

Në Francë, qyteti më i shtrenjtë është Nisa, por që gjithsesi është më i lirë se Nju Jorku (77). Për Parisin treguesi është 76.1. Në Itali, më e shtrenjta është Milano (73.6), e ndjekur nga Firence (66.7), Bolonja (66.2), Roma (66.1). Greqia është ndër më të lirat e Europës Perëndimore. Për Athinën, indeksi rezulton 59.8 dhe për Selanikun 55.8.

Tirana dhe Beogradi më të shtrenjtat në rajon, më e lira Prishtina

Në kryeqytetet e rajonit, kosto e jetesës është mesatarisht më pak se 50% e asaj të Nju Jorkut. Por, brenda rajonit më i shtrenjti është Beogradi, me 42.4% të mesatares së Nju Jorkut.

Edhe Tirana nuk është më e lirë për standardet e rajonit, duke u renditur pas Beogradit, me 41%. Në krahasim me vitin e mëparshëm, kur indeksi ishte 38.7 për kryeqytetin shqiptar, Tirana rezulton të jetë bërë më e shtrenjtë.

Për Podgoricën, indeksi është më i lirë se në kryeqytetin shqiptar, në 38.2, ndërsa Budva, qytet bregdetar e ka treguesin 41.6 (pak më të lartë se Tirana).

Më pas vijnë Sarajeva në Bosnje-Hercegovinë me çmime të favorshme (38.6) e Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut (36.8). Më e lira në rajon dhe ndër më të lirat në Europë është Prishtina (29.9).

Në Europë tre qytetet më të lira, që renditen vetëm pas Prishtinës janë në Ukrainë: Odesa, Lvivi, Kharkivi./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48217 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE