Pastruesja i grabiti mijëra euro në banesë, verifikime nëse ish-drejtoresha e koncensioneve i ka të justifikuara!

vovalbania January 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pastruesja i grabiti mijëra euro në banesë, verifikime nëse ish-drejtoresha e koncensioneve i ka të justifikuara!

Në Tiranë, grabitja e një shtëpie në Rrugën e Kosovarëve, për të cilën u arrestuan nënë e bir Rozeta dhe Havier Dobi, nxori në pah një element të ri, të papërfshirë në njoftimin e policisë. U mësua se banesa e grabitur më 15 dhjetor 2022 i përket Alda Klosit, e cila ka qenë drejtore e koncensioneve në Ministrinë e Ekonomisë kur dkasterin e drejtonte Arben Ahmetaj e më pas, shefe kabineti e Ministrisë së Rindërtimit.

Policia e Tiranës thotë se shuma në cash bashkë me bizhuteritë e grabitura në banesën e ish-bashkëpunëtores së ngushtë të Arben Ahmetajt,  arrin në 120 mijë euro. Në asnjë rresht të njoftimit nuk thuhej se kujt i përkiste banesa e grabitur duke fshehur kështu identitetin e të grabiturës. Hetimet e mëtejshme pritet të zbulojnë arsyen se përse Alda Klosi, një punonjëse me rrogë shteti  kishte në shtëpi para cash, të padepozituara në bankë.

Burime policore që po hetojnë ngjarjen thanë për Top Channel se kanë nisur verifikimet ndaj Alda Klosit, për të dhënë sqarime mbi burimin e shumës cash që iu grabit në banesë, nga Rozeta Dobi e cila punonte si pastruese në shtëpinë e Klosit dhe djali i saj, Havier Dobi. Ditën e arrestimit, atyre iu sekuestruan mbi 8 milion lekë,  që dyshohet se ishin vjedhur në banesën e Klosit, sende me vlerë, tre automjete, dy prej të cilëve të blerë me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së grabitjes.

Po ashtu, Policia e Tiranës ka dyshime se Rozeta e Havier Dobi, janë të përfshirë në të paktën katër grabitje të tjera. Nga rikontrolli i banesës së tyre, në tubin e aspiratorit të shtëpisë, blutë gjetën edhe 404 mijë e 800 euro dhe 8 mijë e 500 dollarë. Të dhënat e deritanishme nga hetimi sugjerojnë se përveçse për shtëpinë e Alda Klosit, Rozeta Dobi kujdesej edhe për ato të të tjerë zyrtarëve të Ministrisë së Financave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48499 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE