BE: Mali i Zi të shfuqizojë shtetësinë për investitorët e dyshimtë!

vovalbania January 14, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
BE: Mali i Zi të shfuqizojë shtetësinë për investitorët e dyshimtë!

BE kërkon që si vend kandidat, Mali i Zi të përmbahet nga çdo masë që mund të rrezikojë arritjen e qëllimeve të Unionit, përfshirë përdorimin e skemës për dhënien e shtetësisë ekonomike. Zëdhënësja e Këshillit Europian, Ana Pisonero Hernandez:

Ne monitorojmë nga afër ngjarjet që mund të kuptohen si anashkalim i masave të aplikuara në kuadrin e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Mirëpresim vazhdimin e përafrimit të plotë të Malit të Zi me politikën e jashtme e të sigurisë të BE-së dhe angazhimin e tij për zbatimin e plotë të masave kufizuese të Unionit.

Komisioni Europian e ka këshilluar vazhdimisht Malin e Zi që të heqë skemën e shtetësisë për investitorët. Mali i Zi u zotua ta bëjë këtë deri në fund të vitit 2022. Mes rreziqeve që paraqet janë pastrimi i parave, evazioni fiskal, financimi i terrorizmit, korrupsioni dhe infiltrimi i krimit të organizuar. Në raportin e fundit, i kërkoi Podgoricës të heqë shtetësinë ekonomike dhe të harmonizojë politikën e vizave për vendet e treta.

Nëse vlerësohet se të tilla programe paraqesin rrezik të shtuar për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të shteteve anëtare, regjimi pa viza mund të pezullohet. Urgjentisht, Mali i Zi duhet të harmonizojë politikën e tij të vizave me Bashkimin Europian kur bëhet fjalë për vendet e treta, veçanërisht ato që përfaqësojnë emigrimin e parregullt ose rreziqe të sigurisë për Bashkimin Europian.

Mali i Zi ende nuk e ka anuluar programin e shtetësisë për investitorët, pavarësisht vendimit të shpallur më parë për anulimin e tij në vitin 2021. Përkundrazi, në dhjetor 2021, qeveria malazeze vendosi të zgjasë programin deri në fund të vitit 2022. Në vitin 2021, Mali i Zi pranoi 241 aplikime për 807 persona për marrjen e shtetësisë në bazë të investimeve. Mbi këtë bazë, deri në dhjetor 2021 u lëshuan 264 pasaporta malazeze.

Programi i planifikuar të zgjasë tre vjet filloi në vitin 2019 nga qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve e presidentit aktual Milo Gjukanoviç. Në tre vjet (janari 2019-dhjetor 2021) synohej të “shiteshin” 2 mijë pasaporta. Për shkak të interesimit të ulët, qeveria e Zdravko Krivokapiçit planifikoi ta anulojë në fund të vitit 2021. Por, më 30 dhjetor 2021 u vendos që programi të zgjatej deri në fund të vitit të kaluar, me shpjegimin se investitorët nuk kishin kohë për të përfunduar projektet për shkak të krizës nga pandemia COVID-19.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47855 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE