Presidenti Putin pranon tkurrjen e ekonomisë ruse: U tejkaluan pritshmëritë!

vovalbania January 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti Putin pranon tkurrjen e ekonomisë ruse: U tejkaluan pritshmëritë!

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi sot se “vitin e kaluar, ekonomia ruse mund të jetë tkurrur 2.5 për qind, por ka pasur performancë më të mirë nga sa kanë pritur shumë ekspertë”. Deklaratat, Putin i bëri pas një takimi me zyrtarë të lartë rusë, përfshirë ministrin e Financave dhe shefin e Bankës Qendrore. Sipas tij, duhet të stimulohet rritja e pagave. Dinamika aktuale ka qenë më e mirë nga sa e kanë parashikuar shumë ekspertë. Sipas Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, në periudhën janar-nëntor 2022, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Rusisë është ulur, por vetëm 2.1 për qind.

Shumë ekspertë në shtetin tonë, pa i llogaritur ata të huaj, kanë parashikuar ulje me 10 deri në 15 për qind, madje edhe 20 për qind. Për vitin në përgjithësi, ulja pritet të jetë 2.5 për qind. Lufta në Ukrainë dhe vendosja e sanksioneve perëndimore kanë dëmtuar shumë sektorë të ekonomisë ruse, përfshirë kufizimin e eksporteve të naftës dhe gazit. Edhe pse qeveria ruse dhe banka qendrore kanë pranuar vështirësitë, Moska zyrtare shprehet se ekonomia e Rusisë është e qëndrueshme dhe se sanksionet i janë kthyer bumerang Perëndimit, duke rezultuar me rritje të inflacionit e çmimeve të energjisë.

Lufta në Ukrainë dhe kërcënimet e një recesioni global pritet të mbizotërojnë sot në ditën e parë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Kontinenti po përballet me kriza të mbivendosura, mbi të gjitha me pasojat e pushtimit rus të Ukrainës dhe një ndërthurrje të dhimbshme të inflacionit të lartë dhe rritjes së dobët ekonomike.

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska,  pritet t’i japë një mesazh qindra liderëve politikë dhe shefave ekzekutivë, të mbledhur në qytetin turistik zviceran të skive. Ministrja ukrainase e Ekonomisë, Julia Svyrydenko gjithashtu do të marrë pjesë në forum, si dhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i cili ka premtuar t’i dërgojë Ukrainës tanke luftarake “Leopard”.

Lufta e Rusisë në Ukrainë nisi më 24 shkurt të vitit 2022, pra rreth një vit më parë. Presidenti Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45404 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE