Moti i keq, 1.100 ha të përmbytura në Shkodër/7 shtylla të tensionit të lartë u rrëmbyen nga ujërat/Rihapet rruga e Arbrit!

vovalbania January 20, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Moti i keq, 1.100 ha të përmbytura në Shkodër/7 shtylla të tensionit të lartë u rrëmbyen nga ujërat/Rihapet rruga e Arbrit!

Një sërë problematikash po raportohen në të gjithë vendin nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore. Pas disa orësh bllokim për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, rihapet rruga e Arbrit. Në Shkodër, sipërfaqja e përmbytur ka shkuar në 1 mijë e 100 hektarë tokë, ndërsa ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Në Bashkinë e Vaut të Dejës ka mbetur pa energji elektrike njësia Vig Mnele, pasi 7 shtylla të tensionit të lartë i mori uji e gjithashtu nuk ka energji në Temal e Shllak. Disa rrugë rurale janë të bllokuara nga rrëshqitje gurësh e dherash. Në krahun e majtë të urës së Gjinajve në Vig Mnele, argjinatura është drejt shembjes.

Në Pukë, vijon të ketë ndërprerje energjia elektrike në zonat rurale. Në aksin Bogë-Theth, ende nuk është ndërhyrë në zonën e orteqeve pasi vazhdojnë rreshqitjet e dëborës e momentalisht ndërhyrja paraqet rrezik. Në qarkun Korçë pati reshje dëbore, ndërsa në rrugën e Dardhës trashësia e saj varion nga 5 deri në 15 cm. Në akset rrugore kombëtare e turistike, nuk ka probleme.

Në Krujë, të gjithë malet janë mbuluar nga dëbora, trashësia e së cilës arrin deri në 15 cm. Për në Qafshtamë, rruga kalohet vetëm me zinxhirë. Sa i përket lumenjve, niveli i tyre u rrit, por deri tani nuk paraqesin problem. Disa fshatra të rrethit kanë mbetur pa energji elektrike, si pasoje e dëmtimit të linjave furnizuese. Në Kurbin, disa familje janë të rrethuara nga uji në fshatrat Adriatik, Gjorem e Shullaz.

Në Elbasan ra dëbora e parë, por nuk raportohen probleme serioze. Nën petkun e dëborës u zgjuan Gjinari, Funari e zona e Labinotit Malit ku ra 6-7 cm borë. Pikat malore të Librazhdit, Prrenjasit e Gramshit janë zbardhur më herët nga dëbora. Prej disa ditësh, problem mbetet mungesa e energjisë në Tunjë të Gramshit e Qukës të Librazhdit. Ekipet e OSHEE-së po punojnë për të rikthyer furnizimin.

I gjithë territori i qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar e në lartësinë mbi 700 m ra dëborë. Në Shishtavec, trashësia e saj ka shkuar deri në 7 cm. Rrugët kombëtare qarkullohen normalisht e nuk ka ndërprerje të furnizimit me energji. Ndërkohë, në Durrës rifilloi lundrimi i trageteve normalisht, sipas grafikut të mëparshëm.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47816 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE