Moti i keq pezullon lundrimet e disa trageteve të linjave me Italinë!

vovalbania January 20, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Moti i keq pezullon lundrimet e disa trageteve të linjave me Italinë!

Drejtoria e Përgjithshme Detare, DPD bën të ditur se si rezultat e motit të keq do të pezullohen lundrimet e disa trageteve drejt Italisë dhe anasjelltas.

Në bazë të parashikimit të situatës hidrometeorologjike për vendin tone për datat 20-22 Janar 2023 moti do të përkeqësohet duke filluar pasditen e dates 20.01.2023 përgjatë gjithë bregdetit Shqiptar. Era do të jetë me drejtimin Jug-Jugperëndim në forcën 7bft deri 8bft dhe me shpejtësi mbi 25m/s , lartësia e dallgës do të arrijë deri në 4 metra.

Në portin e Durrësit tragetet që operojnë në linjën Durrës-Bari-Durrës nuk do të nisen ditën e sotme nga të dyja portet respektive. Gjithashtu edhe trageti i linjës Durrës-Ankona-Durrës nuk do të niset nga Porti i Ankonës.

Në Portin e Vlorës, për linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë trageti “Ioan Star” do të niset rreth orës 14:00 nga Porti i Vlorës. Kurse në datën 21.01.2023 nuk do të behet nisja nga Porti i Brindisit.

Në portin e Sarandës anijet pasagjere të linjës Sarandë-Korfuz-Sarandë ditën e sotme kanë operuar normalisht.

Në portin e Shëngjinit situata është e qetë dhe pa probleme.

Situata meterologjike detare pritet që të përmirësohet ditën e dielë. Për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla, DPD informoi se është pezulluar lundrimi deri në përmirësimin e situatës.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot vendi do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa me origjinë jugperëndimore.

Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura, si dhe alternime të herëpashershme e afatshkurtra me diell.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpas’hershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët e kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave në pjesën më të madhe të territorit.

Në orët e vona të mbrëmjes, në zonën e jugperëndimit dhe pjesërisht në qendër, reshjet në periudha afatshkurtra do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.

Reshjet e dëborës bëhen të herëpas’hershme me intensitet të ulët në relievet kodrinore-malore në lindje të territorit dhe lartësitë mbi 300-500 metër.

Ka mjegull/mjegullinë për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës. Era do të fryjë me drejtim  juglindje-jugperëndim më pas juglindje-verilindje, me shpejtësi nga 3-10m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina era do të jetë tepër intensive me fortësinë e tufanit dhe shpejtësi që arrijnë deri në 18-25 m/sek kryesisht prej orëve të pasdites. Valëzimi në dete parashikohet fillimisht i forcës 1-3 ballë, më pas 4-7 ballë.

 

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE