Reforma e pensioneve në Francë, protestat vazhdojnë/Qeveria nuk tërhiqet!

vovalbania January 20, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Reforma e pensioneve në Francë, protestat vazhdojnë/Qeveria nuk tërhiqet!

Grevat e fundit që po mbahen në Francë për të kundërshtuar planet e qeverisë që të rrisë moshën e daljes në pension, nuk mund të dëmtojnë ekonominë shtetërore. I këtij mendimi është ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, i cili foli për televizionin Bloomberg.

Nuk mendoj se grevat do të kenë ndikim shumë të madh ekonomik në ekonominë franceze.

Le Maire mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, dhe vuri në dukje se “ekonomia franceze është duke ia dalë mirë”. Një ditë më parë, më shumë se një milion persona marshuan nëpër rrugët e qyteteve franceze, për të kundërshtuar planet e presidentit Emmanuel Macron lidhur me reformën e pensioneve.

Sindikatat e punonjësve bënë thirrje për protesta të reja në datën 31 janar, por nga ana tjetër, qeveria nuk ka treguar shenja se do të zmbrapset. Ministri Le Maire u shpreh:

Ne besojmë fuqishëm se kjo reformë është e nevojshme për Francën. Eshtë mënyra më e mirë për të siguruar më shumë prosperitet për popullin francez. Por, qeveria do të tregohet mendje hapur sa u përket diskutimeve për ndryshimet e mundshme.

Reforma duhet të miratohet në Parlament, ku shefi i Elizesë ka humbur shumicën, por shpreson shumë në miratimin e planit me mbështetjen e konservatorëve.

Sipas propozimeve të prezantuara më herët gjatë këtij muaji nga kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, duke filluar nga viti 2027, njerëzit do të duhet të punojnë 43 vjet për të përfituar pension të plotë, në krahasim me 42 vjet sa është për momentin. Sondazhet publike kanë treguar se 68 për qind e popullsisë e kundërshton këtë propozim.

Në anën tjetër, qeveria beson se sistemi francez është drejtuar për nga katastrofa, pasi raporti mes atyre që punojnë dhe personave në pension po zvogëlohet me shpejtësi. Në krahasim me 50 vjet më parë kur kishte katër punëtorë për një pensionist, tashmë raporti ka rënë në 1.7 për një pensionist dhe pritet që shifrat të lëvizin edhe më shumë në vitet në vijim.

Gati të gjitha shtetet europiane po marrin masa për të rritur moshën zyrtare të daljes në pension. Italia dhe Gjermania e kanë rritur moshën e daljes në pension në 67-vjeç, Mbretëria e Bashkuar 66, ndërsa në Spanjë, 65-vjeç.

 

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45401 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE