Vijojnë shkarkimet në kaskadën e Drinit dhe Urën e Fanit/ Aksi Bogë-Theth i bllokuar nga orteqet!

vovalbania January 21, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Vijojnë shkarkimet në kaskadën e Drinit dhe Urën e Fanit/ Aksi Bogë-Theth i bllokuar nga orteqet!

Në dy prej kaskadave ne vend vijojnë shkarkimet, pas prurjeve të shumta nga shirat e ditëve të fundit.

Në kaskadën e Drinit vijojnë shkarkimet me 300 m3/s, kurse në digën Ura e Fanit me 80 m3/s.

I gjithë territori i vendit vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu si dhe reshje bore në relievet malore mbi 600 metër, por nga të gjitha raportime në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile nuk paraqiten problematika të theksuara.

Priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare.

Reshjet priten të shoqërohen edhe me shtrëngata në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.

Hidrovoret janë gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje.

Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme janë 12 mm, kurse prurjet janë 1400 m3/s.

Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës Koman-Vau i Dejës janë 15 mm, prurjet janë në Koman 650 m3/s dhe Vau i Dejës 200 m3/s.

Për sa i përket furnizimit me energji, ka problematika vetëm në disa zona rurale të qarqeve Tiranë, Elbasan, Kukës dhe Shkodër. Nga forcat e OSHEE vijon puna pa ndërprerje për të rikthyer normalitetin.

Në qarkun e Shkodrës nuk ka zgjerim të hartës së sipërfaqes së raportuar të përmbytur një ditë më parë. Kalohet me mjete të larta vetëm rruga e Obotit, ku ka prani uji.

Në qarkun e Lezhës total ka rreth 770 ha tokë bujqësore të përmbytur, në ish kënetën e Toroviocës, njësia administrative Balldren, në ish kënetën Spiten –Tresh Bashkia Lezhë, në njësinë administrative Zejmen, në ish-kënetën Gjonëm, Bashkia Kurbin.

Në Malësinë e Madhe po punohet për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth, të bllokuar për shkak të rënies së orteqeve në vendin e quajtur “Tynelet Panoramike”.

Në të gjitha akset rrugore që kanë problematika në rrëshqitjen e dherave rënien e gurëve apo dëmtimet e trupit të rrugës, nga forcat e ARRSH dhe të bashkive po punojnë për pastrimin dhe riparimin e tyre.

Pa probleme të theksuara paraqitet situata në qarkun e Kukësit, ku gjatë ditës së djeshme kemi pasur reshje bore me trashësi 10-15 cm, rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullohet normalisht. Punonjësit e emergjencave dhe firmat kontraktore janë në terren dhe në gatishmëri.

Në qarkun e Gjirokastrës, në Bashkinë Këlcyrë, në lagjen Kalemaj, fshati Katundishtë, njësia administrative Deshnicë, ka rrëshqitje dhe fundosje të tokës nga baza rreth 1 m, në një sipërfaqe rreth 2 ha. Brenda kësaj sipërfaqe përfshihen 4 banesa dhe 4 stalla bagëtish. Në vendngjarje ka shkuar një grup pune për konstatimin e dëmeve. Banorët janë evakuuar nga banesat dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Në qarkun e Korçës ka pasur reshje bore trashësia e së cilës është 10-25 cm. Të gjitha akset rrugore janë të hapura.

Në bashkinë Shkodër në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit operuan 4 trupa me 1 mjet të kalueshmërisë së lartë.

Situata e emergjencës në të gjithë territorin e vendit është nën kontroll, bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë institucioneve dhe strukturave te sistemit të mbrojtjes civile është i lartë.

Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit do të vijojë të jetë në gatishmëri për çdo kërkesë nga pushteti vendor.

Gjithashtu përsërisim thirrjen që qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore në çdo rast nevoje

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47783 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE