Sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës në veri!

vovalbania January 28, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës në veri!

Sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës në veriun me shumicë serbe. Burime zyrtare bënë të ditur se “persona të dyshuar qëlluan në drejtim të një makine të forcave të rendit që po patrullonte në vendin e njohur si Banjskë në komunën e Zveçanit”. Sipas policisë, nga ky sulm nuk pati të lënduar, por automjeti pësoi dëmtime.

Në njoftim thuhet:

Nga person/a të dyshuar është shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë-Izvor të komunës së Zveqanit. Fatmirësisht nuk raportohet për zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.

Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit.

Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distance prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur.

Automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit. Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Autoritetet e rendit konfirmuan edhe se bllokuan makinën që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e që u gjet e braktisur. Hetimet nisën si vrasje e mbetur në tentativë dhe gjithashtu për sulm ndaj personit zyrtar. Vazhdimisht në veri, pjesëtarët e Policisë së Kosovës bëhen shënjestër e sulmeve të ndryshme nga banorët serbë. Rasti më i fundit ndodhi më 23 janar në Bistricë të Leposaviçit, ku dy serbë refuzuan që të ndaleshin në një pikë kontrolli. Me makinën e tij, drejtuesi goditi automjetin e policisë. Efektivët qëlluan me armë zjarri në drejtim të tyre e për pasojë njëri prej serbëve mbeti i plagosur.

Autoritetet në Kosovë thanë se dy të dyshuarit e këtij rasti, të identifikuar me inicialet D.S dhe M.D kanë të kaluar kriminale duke rezultuar të përfshirë në dhjetëra vepra penale e të tjera shkelje.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45256 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE