Albin Kurti: Perëndimi të mos bëjë presion për Asociacionin!

vovalbania February 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Albin Kurti: Perëndimi të mos bëjë presion për Asociacionin!

Kryeministri Albin Kurti u bën thirrje fuqive perëndimore të mos i bëjnë presion Prishtinës që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa çështja po rrit tensionet Kosovë-Serbi. Gjatë një interviste për Associated Press, Kurti tha se “në vend të kësaj, Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike e të largojë idetë hegjemoniste të Beogradit”.

Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që të përballet me të kaluarën. Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Europian e NATO-s dhe jo për nga Rusia. Nëse e çlirojnë veten nga idea se Kosova ende i takon Serbisë, ata do të jenë më demokratikë, më europianë.

Javët e fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja vizituan Prishtinën e Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri, që dy shtetet të normalizojnë raportet e të përshpejtojnë rrugëtimin drejt Unionit.

Dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, nisi në vitin 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura janë zbatuar deri tani. Kurti u shpreh:

Deri tani, negociatat janë ideologji për zgjidhjen e problemit. Çdo zgjidhje është bërë më e ndërlikuar, madje më e pazbatueshme dhe publiku humbi interesin. Propozimi europian është një kornizë dhe platformë e mirë për të ecur përpara, gjë që na bën të shpresojmë lidhur me perspektivën për bisedimet e ardhshme e për një marrëveshje.

Plani europian apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik. SHBA-të kanë rritur presionin ndaj Prishtinës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin në vitet 2013 e 2015.

Më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen. Kurti nënvizon se “themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij”, por javën e kaluar shpalosi disa kushte për të, përfshirë atë që Asociacioni të jetë pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve dhe të zbatohet pas njohjes reciproke.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47416 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE