Balona kineze në Amerikë, Pekini refuzon telefonatën e Uashingtonit!

vovalbania February 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Balona kineze në Amerikë, Pekini refuzon telefonatën e Uashingtonit!

Ministria e Mbrojtjes e Kinës bëri të ditur se refuzoi një telefonatë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pas rrëzimit të balonës së pretendruar spiune kineze. Për Pekinin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës “nuk kanë krijuar atmosferën e duhur për dialog”. Një zëdhënës deklaroi:

Veprimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkeli seriozisht normat ndërkombëtare dhe krijoi një precedent shkatërrues. Duke pasur parasysh se ky qëndrim i papërgjegjshëm dhe seriozisht i gabuar nga Amerika nuk krijoi atmosferën e duhur për dialog e shkëmbime të informacioneve mes dy ushtrive, Kina nuk e pranoi propozimin amerikan për një telefonatë ndërmjet dy ministrave të mbrojtjes. Po ashtu, Kina rezervon të drejtën për të përdorur mjetet e nevojshme për t’u marrë me situata të ngjashme.

Shtetet e Bashkuara rrëzuan atë që Uashingtoni tha se ishte një balonë kineze e përdorur për spiunazh, por që Pekini pretendon të kundërtën, duke vënë në dukje se “ishte një anije shkencore civile e që aksidentalisht  fluturoi jashtë drejtimit për shkak të kushteve të motit”.

Fillimisht, Pekini zyrtar shprehu keqardhje për incidentin, por më vonë retorika kineze u ashpërsua. Kjo pasi ditët e fundit Byroja Federale e Hetimit (FBI) mblodhi mbetjet nga vendi i rrëzimit në ujërat territoriale të SHBA-ve në brigjet e Karolinës së Jugut dhe i dërgoi ato në laboratorin e FBI-së në Virxhinia për hetime. Pekini vuri në dukje se reagimi i SHBA-ve ishte “i tepruar”.

Ministria kineze e Punëve të Jashtme e cilësoi veprimin “të papërgjegjshëm” ndërsa pretendimet e SHBA-ve për spiunazh, “pjesë të luftës së informacionit të palës amerikane kundër Kinës”.

Rreth një javë më parë, shefi i Pentagonit, Lloyd Austin kërkoi të diskutonte çështjen e balonës me homologun e tij kinez, Wei Fenghe, por kjo u refuzua nga Kina. Në vazhdën e incidentit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, anuloi udhëtimin e planifikuar në Pekin këtë javë, që jepte shpresë se do të ndihmonte në stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët në dekada.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE