Të bashkuar kundër VMRO-DPMNE/së, Aleanca për Shqiptarët pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut!

vovalbania February 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Të bashkuar kundër VMRO-DPMNE/së, Aleanca për Shqiptarët pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut!

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të zgjerohet me një parti politike, Aleancën për Shqiptarët, që deri tani ishte në opozitë. Vendimi u bë i ditur nga kryetari i kësaj partie, Arben Taravari pas bisedimeve disa ditëshe me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Kjo parti ka tetë deputetë dhe me përfshirjen do t’i japë stabilitet qeverisë aktuale që përbëhet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe disa parti më të vogla, por që kanë 64 deputetë apo 3 më shumë se numri i nevojshëm për funksionimin e shumicës parlamentare.

Arben Taravari, tha se pjesëmarrja ka të bëjë me “ruajtjen e kursit europian të Maqedonisë së Veriut”.

Me parimet e platformës për bashkëpunim me Aleancën e Shqiptarëve, të miratuara nga organet partiake, sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik dhe rritje të efikasitetit të Kuvendit e të institucioneve. Pjesëmarrja jonë në qeveri është në funksion të stabilitetit të vendit, miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimit të kursit europian të Maqedonisë së Veriut.

Në kabinetin qeveritar, Aleanca e Shqiptarëve do të ketë një post zv.kryeministri për investimet kapitale, Ministrinë e Drejtësisë, atë të Shëndetësisë, dy zëvendësministra të Mbrojtjes e Bujqësisë, dy sekretarë shtetërorë, si dhe disa drejtori.

Vendimi për pjesëmarrjen e ASH-së në qeveri vjen në kohën kur opozita maqedonase që drejtohet nga partia VMRO-DPMNE, po përgatitet për mocionin e votëbesimit të qeverisë, duke llogaritur edhe votat e deputetëve të opozitës shqiptare.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski reagoi. Vendimin e ASH-së për pjesëmarrje në qeveri e quajti “vendim për të shpëtuar qeverinë dhe jo për të ardhmen europiane të vendit”. Por, Lidhja Social-Demokrate thotë se me zgjerimin e qeverisë dhe të shumicës parlamentare u shmang rreziku për “ndryshimin e kursit europian të Maqedonisë së Veriut”.

Maxhoranca shpreson në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Ndryshimet kushtetuese janë kusht që përfshihet në marrëveshjen mes Shkupit e Sofjes për zhbllokimin e integrimit europian. Nëse kjo ndodh, Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së nuk e përjashton mundësinë që sërish të bllokojë bisedimet e anëtarësimit europian të Maqedonisë së Veriut, si në nëntor 2020.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47789 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE