14 Shkurt, sot Top Albania Radio mbush 25 vite histori dhe dashuri!

vovalbania February 14, 2023 0 koment 6 Mund të lexoni në minuta.
Top Albania Radio, një çerek shekulli kujtimesh…

Pranverë 1998. Shqipëria e atëhershme mediatike numëronte veç gazetave dhe disa iniciativave (po i quajmë kështu) audiovizuale, të konsideruara si dallëndyshet e para të erës së re, që po shfaqej paksa me vonesë në raport me shndërrimet e mëdha në rrafshet e tjera të jetës. Me një qasje të thjesht, pas 8 vitesh që kish rënë monopoli politik në vend, i kishte ardhur radha rënies së monopolit radioteleviziv (RTSH-së). Por nuk do të ndodhte ama si në politikë. E reja që do të zëvendësonte të vjetrën nuk do të mbarte reminishencat e kësaj të fundit.

Kjo nuk do të vinte menjëherë. 3-4 radiot e para ishin më tepër “jukebox”, pa ndonjë cilësi audio të veçantë dhe e vetmja tërheqje që provokonin ishte muzika pa hesap në transmetim. Dhe kjo ndodhte ose me kaseta, CD te vjetra dhe xhirodisqe (pllakat e karbonit).

Për lajme profesionale apo për zëra profesionalë as që bëhej fjalë. Gjithçka kishte ndalur tek e kaluara. Ishte dhe një periudhë kur Shqipëria sa kishte nisur të mëkëmbej nga troshitja që i bëri vetes më 97-ën. Sakaq ishte dhe fund-dimri. Pranvera që po afrohej nuk ishte ajo e një viti më parë, por trishtimi ndër njerëz ishte akoma prezent. 14 shkurt 1998. Në 100 mgh/fm, dëgjohet Top Albania Radio.

Që prej asaj dite, ky konstelacion me tre fjalë do të hynte në historinë e Shqipërisë si një faqe e re e saj, e revolucionit mediatik-audiovizual, që do të përfaqësohej fillimisht nga kjo radio e më pas nga Top Channel e DigitAlb.

Shumë shpejt, nga një radio ajo do të shndërrohej në fenomen, aq sa për banorin jo kryeqytetas, të shkoje në Tiranë do të thoshte të dëgjoje dhe “Top Albania Radion” për disa ditë apo për disa orë. Pa diskutim, kjo radio ishte një ndër evenimentet më të rëndësishme të 1998-ës për Shqipërinë, ndonëse një iniciativë private e një të riu me endrra mbi median e re në Shqipëri dhe fillimisht një radio ndryshe nga të tjerat. Ai ishte Dritan Hoxha.

Dritan Hoxha gjeti vitin më të vështirë për të menduar, vitin 1997, kur e gjithë Shqipëria ishte përfshirë në kaos pas rënies së skemave piramidale, që e hodhën shtetin dhe shqiptarët në rënie të lirë. Atëherë kur bizneset po largonin paratë dhe familjarët nga Shqipëria, Tani vendosi të investojë në ngritjen e një radioje. Ndërkaq, paralelisht me bizneset e tij, ngrihej edhe familja e tij biologjike. Vajza e tretë, Redia lindi pikërisht ditën kur lindi edhe “Top Albania Radio”, më 14 shkurt 1998.

“Top Albania Radio” mori liçensën e parë kombëtare për radiot private, duke hedhur brenda një viti një hap të rëndësishëm në suksesin e saj të padiskutueshëm. Sinjali i saj mbulonte 95% të territorit të vendit, kur radioja shtetërore 60-vjeçare mbulonte vetëm 75%. Kjo radio transmetonte rreth 19 edicione informative flesh dhe muzikë bashkëkohore. Ajo iu imponua të gjitha moshave, për një arsye të thjesht: të rinjtë e gjenin veten aty, ndërsa të moshuarit, sepse donin të ndiheshin të rinj.

Transmetimet eksperimentale nisën që në janar të vitit 1998, ku transmetohej vetëm muzikë. Edhe transmetuesi i parë që mbulonte Tiranën dhe rrethinat e saj, u vendos pikërisht këtë muaj.

Më pas, 14 shkurti ishte dita kur nisi transmetimi zyrtar dhe atë ditë, prezantuesja e parë Gerta Heta lançoi tek dëgjuesit numrat e telefonit. Që atë ditë, telefonat e Top Albania Radios nuk kanë pushuar asnjë çast, për t’u bërë pjesë të gjithë nga pak të “Radios me ngjyra në Shqipëri”.

Ndërkaq me kalimin e viteve dhe një sërë ndryshimesh të tjera pasuan. Radio nuk ishte më e njëjta, një frymë e re erdhi për ta bërë Radion sërish ‘In’, moderne. Thënë kjo emra të rinj prezantuesish dhe emisione të reja iu shtuan programacionit. Teksa “Një këngë për ty” nuk iu zbeh aspak interesi për publikun, ku vazhdojnë të dërgojnë preferencat e tyre muzikore, por tashmë i shtohet dhe dërgimi i ‘voice message’ në WhatsApp, si dhe telefonatat për t’u bërë pjesë e emisionit, për të luajtuar me quize dhe për të fituar dhurata.

Emisione të reja u shtuan ditë pas dite në ato që vazhdojnë ende aktualisht, “Ndryshe”, “Wake Me Up”, “House Nation”, “At The Movies” “On The Mic Me Albanën”, “Sot Nuk Është e Hënë” apo “Paso”. Një tjetër risi që erdhi me kalimin e viteve ishte dhe krijimi i një kanali zyrtar në YouTube, çdo ditë me të gjitha videot e emisioneve tona, të ftuar dhe tema interesante. Momentalisht numërohen mbi 33 mijë ‘subscribers’ që vijnë duke u rritur dita-ditës.

Jo vetëm kaq, por “Top Albania Radio” u sigurua që të jetë gjithmonë e më pranë publikut, këtë herë në rrjete sociale. Teksa teknologjia zë një pjesë të madhe të kohës sonë, përdoruesit në rrjet kanë mundësinë të jenë non-stop duke na ndjekur në Instagram, Facebook, por edhe duke dëgjuar live transmetimin e radios në faqen e Web-it, duke lexuar lajmet më të fundit, aktualitet apo showbiz. TAR vijoi duke krijuar një plaformë podcastesh me më shumë se 25 podcaste origjinale. Njofimi i dëgjuesve tanë besnikë me të rejat më të fundit, muzikën më të mirë të momentit, artistë të ndryshëm shqiptarë apo të huaj dhe tema të ndryshme çdo ditë.

Top Albania Radio prodhon dhe promovon muzikën shqiptare e cila zë një hapësirë prej afro 40% të play listës muzikore. 25 vjet transmetim, me qëllimin për të dhënë më të mirën.

Top Albania Radio është e vetmja radio kombëtare me mbulim 18/24 me programe, jo vetëm muzikë. Duke nisur nga 14 shkurti 2022, një aplikacion i ri i shtohet platformës së Top Albania Radio-s. Tashmë Top Albania Radio mund të shkarkohet si një aplikacion ku mund ta keni gjithnjë me vete.

Nga viti 2022 shumë risi erdhën nga Top Albania Radio për të gjithë dëgjuesit e saj besnikë. Duke filluar nga mbulimi i eventeve dhe emisioneve televizivë, si “Big Brother VIP Red Carpet”, apo “South Outdoor Fest”. Kjo duke u siguruar të sjellë çdo moment tek dëgjuesit, edhe për ata që nuk kanë pasur mundësi të jenë pjesë live. Dhe meqë jemi tek live, do ndalemi tek “A Live Night”, emisioni që solli artistët më në zë shqiptarë në një aspekt më ndryshe, më pa filtra se kurrë, intervista mbi detaje të jetës dhe karrierës së tyre që nuk ishin dëgjuar kurrë më parë.

Në lumin e programeve televizive dhe ‘qyfyreve’ të tyre frymëzuar nga cikli ‘Mai Dire’ i Mediaset – tre emra të njohur të radios & TV në Shqipëri erdhën me një program ku komentohen perlat nga programet që njihni dhe nuk i njihni, që i keni parë ose me shumë gjasa jo, xhanëm me kaq sa janë kjo është e pamundur… “S’e kam me ty” u rikthye sërish, por këtë herë me doza humori edhe më të shtuara.

Emra të rinj iu shtuan zërave të Top Albania Radio-s, si Lei Kraja, Edea Demaliaj, Anxhela Baxhija, Blerina Shehu. Blendi Salaj, Neada Muçaj dhe Enxhi Nasufi, morën drejtimin e “Wake Up” me nisjen e sezonit të ri në 2022.

E tashmë, kur viti 2023 nisi me një vëmendje të paduiskutueshme me “Big Brother VIP”, Top Albania Radio sërish solli atë që do publiku. Emisioni “Big Brother Radio” u bë zëri i të gjithë dëgjuesve dhe fansave.

E me sloganin e “25 viteve kujtime” (25 Years, Creating Memories) pa kurrëfarë nostalgjie për të shkuarën, por me shijen e mirë të saj, ne rendim drejt 25 viteve të ardhshëm, sido qofshin ata, të lehtë apo të mundimshëm, të artë apo të zymtë, pa ju trembur asgjëje, sepse diçka e krijuar me dashuri, që mbahet gjallë nga dashuria, frymon prej saj çdo ditë, është e sigurt në triumfin e pashmangshëm e të përjetshëm.

Sepse…

All You Need Is Love.

Gëzuar ditëlindjen, Top Albania!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47862 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE