SHBA: Ukraina po përgatit ofensivë pranverore kundër Rusisë!

vovalbania February 15, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
SHBA: Ukraina po përgatit ofensivë pranverore kundër Rusisë!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të mërkurën në Bruksel se ministrat evropianë të mbrojtjes po diskutojnë mënyrat për të rritur shpenzimet e mbrojtjes si reagim ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Mbrëmjen e së martës po në Bruksel u zhvillua edhe takimi i Grupit të Kontaktit për Ukrainën që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, pas takimit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin paralajmëroi se Ukraina mund të nisë një ofensivë kundër Rusisë në pranverë dhe se aleatët do sigurohen që Kievi të ketë përkrahjen e nevojshme për këtë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se Evropa po rrit shpenzimet e mbrojtjes për shkak të agresionit rus në Ukrainë, që ai e quajti “kriza më e madhe e sigurisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Ne do vendosim 40,000 trupa në pjesën lindore të aleancës me mjete të konsiderueshme ajrore dhe detare”

“Ne po forcojmë mbrojtjen tonë, duke vendosur 40,000 trupa nën komandën e NATO-s në pjesën lindore të aleancës me mjete të konsiderueshme ajrore dhe detare. Ne do dyfishojmë numrin e grupeve luftarake nga katër në tetë. Do të miratojmë udhëzimin e ri politik për planifikimin e mbrojtjes. Ky do të jetë ndryshimi kyç për vitet e ardhshme, për tu siguruar që ne kemi aftësitë e nevojshme për mbrojtjen tonë”, tha zoti Stoltenberg.

Grupi i Kontaktit i Ukrainës i udhëhequr nga SHBA-të u takua një ditë më parë në Bruksel. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin pasi ofroi garanci se përkrahja për Ukrainën do të vazhdojë, paralajmëroi se Kievi po përgatitet për një ofensivë të re në pranverë.

“Ajo që Ukraina dëshiron të bëjë në momentin e parë të mundshëm është të krijojë kushte në fushën e betejës që të vazhdojnë të jenë në favor të saj. Ne presim që ata të kryejnë një ofensivë në pranverë”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Zoti Austin tha se 54 vendet anëtare të grupit do të bëjnë gjithçka që munden për të dërguar armët që i nevojiten Kievit, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi disa imazhe të hënën, duke thënë se ato tregojnë artileri dhe njësi të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Sekretari Austin tha Rusia po dërgon njësi të shumta në Ukrainë, por shumë prej tyre nuk janë të pajisur, apo trajnuar mirë.

Shefi i Shtatmadhorisë të ushtrisë amerikane, Gjenerali Mark Milley vuri në dukje se Rusia po vazhdon sulmin në rajonin e Donbasit të Ukrainës.

“Ata po sulmojnë Donbasin. Përparimi i tyre është i ngadalshëm. Po bëjnë luftë rrënuese. Ata po shënojnë humbje të mëdha. Morali i tyre nuk është i lartë dhe po përballen me shumë probleme. Megjithatë, kanë shumë trupa në betejë”, tha shefi i Shtatmadhorisë, Mark Milley.

Ushtria ruse tha të hënën se “njësi vullnetare sulmi”, me mbështetjen e forcave ruse, kanë kapur një fshat në veri të Bakhmutit. Ukraina ka pranuar se situata është “e vështirë” rreth qytetit lindor ku po zhvillohen luftime të ashpra.

Ukraina ka kërkuar avionë luftarakë nga perëndimi, por Sekretari Austin tha se nuk ka një lajm të ri për këtë. Ai shtoi se SHBA-ja nuk e ka penguar Poloninë apo ndonjë vend tjetër t’i ofrojë avionët e vet, duke vënë në dukje se vendimi do të varet nga çdo vend individualisht.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE