Pakistani e ka një Charlie Chaplin, ju njohim me 28-vjeçarin që imiton komikun britanik!
28-vjeçari nga Pakistani Usman Khan me një kapele të zezë dhe me një shkop ecjeje në njërën dorë i shmanget makinave me shpejtësi në rrugët e qytetit duke imituar Charlie Chaplin. I riu shet lodra për fëmijë në një stendë buzë rrugës, por që nga fillimi i pandemisë ai ka filluar të vishet si Charlie Chaplin, komiku britanik që u bë i famshëm në një epokë filmash pa zë një shekull më parë dhe falë mediave sociale ai është bërë i famshëm.
Në vetëm dy muaj pasi hapi një llogari, Khan fitoi më shumë se 800 000 ndjekës në TikTok. Khan, i cili është i varfër ashtu si Chaplin, me veshjen e tij kopjon çdo detaj nga mustaqet e aktorit komik deri te këpucët e kllounit të veshura në këmbët e gabuara. Kur shkon në qytet, shpesh i shoqëruar nga miqtë që e filmojnë, ai bën çmos për të rikrijuar skena nga filmat e Chaplin.
Fëmijët e ndjekin, të argëtuar nga veprimet e humorit të heshtur dhe kalimtarët luajnë së bashku me shakatë e tij, si dhe duan të bëjnë “selfie” me të. “Kur largohem nga shtëpia ime, mbyll derën për problemet e mia dhe kërkoj t’u sjell lumturi të tjerëve”, thotë ai.
“Të fitosh zemrat e njerëzve me komedinë e heshtur është një detyrë e vështirë”, shton Khan, i cili e quan aktin e tij një lloj “bamirësie”, pasi ai nuk kërkon para për shfaqjet e tij. Megjithatë, shpreson se një ditë akti i tij do të çojë në një karrierë në televizion apo film. Dhe nëse ai do të bëhej i pasur, ai thotë se do t’i ndante të ardhurat e tij me të varfërit.