“Abissnet Superiore”, “betejat” për kreun e shkëputjen nga “zona e ftohtë”!

vovalbania February 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Abissnet Superiore”, “betejat” për kreun e shkëputjen nga “zona e ftohtë”!

Sot nis Java e 22-të e “Abissnet Superiore”, ndeshjet e së cilës luhen edhe ditën e nesërme, për të kulmuar me takimin Egnatia-Vllaznia në orën 13:00. Kjo do të jetë një përballje direkte për zonën europiane me dy skuadra që vijnë në një moment optimal pasi rrogozhinasit janë vetëm 4 pikë larg shkodranëve dhe tashmë mund të shikojnë drejt zonës së sipërme të klasifikimit. Nga ana tjetër është Vllaznia që ende pa asnjë pikë këtë sezon, ndaj Egnatias do të kërkojë të thyejë mallkimin për të vijuar rrugën e sukseseve pas dy të tillave të arritura ndaj Kukësit e Tiranës.

Po nesër në të njëjtin orar, pra ora 13:00, Tirana kryesuese sfidon Kastriotin e fundit të klasifikimit. Rikthimi në stol i Emiljano Çelës mund të ndryshojë ritmin e skuadrës krutane në telashe pas disa rezultateve negative rresht, ndërsa trajneri Orges Shehi dhe kampionët që ai drejton do të mbyllin një cikël me katër transferta radhazi për të hedhur pas krahëve edhe humbjen e Shkodrës.

Raundi i kësaj fundjave nis sot me tre orare të ndryshme ku fillimisht në orën 13:00 Laçi pret Bylisin. Të dyja skuadrat nuk po kalojnë një moment pozitiv pas disfatave respektivisht ndaj Egnatias e Partizanit, por ballshiotët janë në emergjencë totale pasi nuk po arrijnë të shkëputen nga zona e ftohtë. E shtuna do të “nxehet” në orën 16:00 me sfidën direkte të mbijetesës mes Teutës e Kukësit. Me nga 25 pikë në klasifikim, që të dyja skuadrat do të kërkojnë të mos lëshojnë terren ndaj pritet një sfidë shumë e ekuilibruar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Në orën 19:00, Partizani sfidon Erzenin e vendit të katërt. Një ndeshje shumë delikate për “të kuqtë” përballë surprizës së sezonit. Si rrallëherë, diferencat mes dy skuadarve janë shumë të vogla edhe pse trajneri Giovanni Colella nuk dëshiron të dëgjojë për rezultat tjetër veç fitores.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45394 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE