SPAK survejon deputetë, ministra e ish-ministra, ja si po gjurmohen në skaner celularë, laptopë, dronë dhe GP

vovalbania March 30, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
SPAK survejon deputetë, ministra e ish-ministra, ja si po gjurmohen në skaner celularë, laptopë, dronë dhe GP

Në muajt në vijim pritet të ndodhin shumë zhvillime të forta sa i takon luftës kundër korrupsionit. Laku për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar sa vjen dhe ngushtohet. Gazeta ka mësuar se në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë dosje të zjarrta, të cilat pritet të tronditin themelet e politikës. Sipas informacioneve, mësohet se pas hapjes së këtyre dosjeve, SPAK pritet të firmosë dhjetëra fletë arresti, ku në prangat e policisë do të bien zyrtarë të pushtetit vendor, ish-ministra të qeverisë Berisha dhe ministra të Ramës. Por si SPAK ka proceduar kohët e fundit për të marrë informacione që implikojnë zyrtarët e lartë në afera? Në raportin e vitit 2022 që ka publikuar drejtësia e re, thuhet se SPAK po i shkon “në rrënjë” hetimeve duke nxjerrë prova që pushtetarët e lartë të korruptuar nuk mund t’i kundërshtojnë dot, pasi Prokuroria e Posaçme i ka kapur “mat”.  “Për vitin 2022, Bërthama Komanduese Elektronike, ka ekzekutuar në interes të çështjeve penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si më poshtë: 328 Autorizime të Prokurorit për lejim përgjimi; 1000 Vendime të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga të cilat 160 Vendime Lejim Përgjimi; 307 Vendime Vleftësimi; 533 Vendime Zgjatjeje. Gjatë vitit 2022, për veprat penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, janë interceptuar 2177 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit në përgjim) ku është rezultuar në ndalimin e rreth 160 personave të dyshuar për kryerje të veprave penale”, thuhet në raportin e SPAK.

Ekspertiza

Gjithashtu në raport thuhet se janë futur në skaner nga SPAK celularë, laptopë, dronë dhe GPS. “Nga 240 vendime janë pranuar 328 aparate celularë, 59 kompjuter dhe laptop, 11 videoregjistrues DVR, 17 USB, 3 borde të intergruara (qark elektronike), 3 TV, 4 GPS(lokalizues vendndodhjeje), 4 Dronë, 46 CD/DVD, 11 tableta si dhe 14 pajisje të tjera që përfshijnë karta SIM, adpatorë, magnetofon. Në sektorin e ekspertizës, nga 3 ekspertë, për periudhën në fjalë janë kryer 256 Akte Ekspertimi dhe është bërë e mundur ekzaminimi i 313 aparateve celularë, 40 kompjuter dhe laptop, 7 DVR, 23 USB, 1 GPS (lokalizues vendndodhjeje), 1 Dron, 25 CD, 3 tabletë si dhe 10 pajisje të tjera që përfshijnë karta SIM, adaptorë, magnetofon”, thekson SPAK.

Paratë e pista

Struktura e Posaçme Antikorrupsion, jo vetëm do të hetojë dhe do të nxjerrë para ligjit zyrtarët dhe pushtetarët e korruptuar por edhe do të sekuestrojë pasuritë e tyre të përfitura në mënyrë të paligjshme. Shqetësim është fshehja e të ardhurave të tyre jashtë vendit, në parajsat fiskale. Pjesë e raportit të SPAK është edhe problematika në lidhje me paratë e pista. Në raport thuhet po ashtu se grupet kriminale me drejtues shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare si grupe kriminale më një ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në ato të kanabisit dhe kokainës. “Gjatë hetimit të grupeve kriminale në vitin 2022 vihet re një rritje e sofistikimit të kryerjes së veprave penale nga ana e tyre, komunikimi midis anëtarëve të organizatës, lidhjet me organizatat ndërkombëtare kriminale dhe format e pastrimi të produkteve penale. Tashmë grupet e strukturuara kriminale të drejtuara nga shtetas shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare si grupe kriminale më një ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në ato të kanabisit dhe kokainës. Këto grupe kriminale janë aktive jo vetëm në rajon por edhe në disa vende të BE-së, Britaninë e Madhe, Turqi, ShBA etj. Nga ana tjetër, grupet kriminale të drejtuar nga shtetas shqiptarë kanë arritur të kenë qasje të drejtë për drejtë në vendet e origjinës së prodhimit të kokainës duke krijuar lidhje të forta me organizatat kriminale në Amerikën Latine. Shihet një tendencë e lëvizjes së të ardhurave kriminale të tyre jashtë juridiksionit shqiptar në kompanitë offshore apo në parajsa fiskale duke e rritur ndjeshëm vështirësinë e gjurmimit dhe ndjekjes së tyre penale. Vihet re edhe përdorimi prej tyre i sisteme informale transfertash parash si havala, hundi apo ‘fei chien’ ose dërgimin e pagesave në parajsat fiskale në vende si Qipro, San Marino apo dhe Dubai. Është kthyer në problematike edhe fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në qytetin e Dubait, qëndrojnë një numër i lartë të kërkuarish me masa sigurimi “arrest në burg” për vepra penale në kuadër të krimit të organizuar, për të cilët nuk po jepet ekstradimi nga autoritetet e drejtësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, thuhet mes tjerash në raport.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45351 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE