31-vjetori i pavarësisë së Ukrainës, Volodymyr Zelensky: “Ne do të luftojmë deri në fund”!

vovalbania August 24, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
31-vjetori i pavarësisë së Ukrainës, Volodymyr Zelensky: “Ne do të luftojmë deri në fund”!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se shteti i tij do t’i luftojë trupat ushtarake ruse “deri në fund”. Ukraina shënon sot 31-vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Po këtë ditë bëhen gjashtë muaj prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar ndaj Ukrainës. Zelensky është shprehur në fjalën e tij se:

Përgjatë këtyre gjashtë muajve, ne kemi ndryshuar historinë, kemi ndryshuar botën dhe kemi ndryshuar veten… ne kemi nisur të respektojmë veten. Ne e kuptojmë se pavarësisht ndihmës dhe mbështetjes, askush përveç neve nuk do të luftojë për pavarësinë tonë. Ne jemi të bashkuar. Nuk ka rëndësi se çfarë ushtrie kemi, e rëndësishme është toka jonë. Ne do të luftojmë për të deri në fund.

Burimet perëndimore ushtarake, kanë thënë se forcat ruse janë duke bërë pak përparim në territoret lindore dhe jugore të Ukrainës. Prej shpërthimit të luftës, shtatë milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, ndërsa kombet perëndimore kanë vendosur sanksione financiare dhe teknologjike ndaj Rusisë për agresionin. Zelensky, 44-vjeçar, e ka pranuar ndikimin e rëndë të luftës në Ukrainë.

Çdo ditë është një arsye e re për t’u mos dorëzuar. Sepse, meqë kemi bërë kaq shumë, ne kemi çdo të drejtë të shkojmë deri në fund. Çfarë është fundi i luftës për ne? Ne kemi thënë dikur: ‘paqja’. Tani themi: ‘fitorja’. Ne do të çojmë duart lart vetëm një herë, kur të festojmë fitoren. E gjithë Ukrainës. Sepse ne nuk tregtojmë tokën dhe popullin tonë. Për ne, Ukraina është e gjithë Ukraina. Të gjitha 25 rajonet, pa koncesione apo kompromise. Ne nuk njohim këto fjalë, se ato janë shkatërruar nga raketat më 24 shkurt.

Kryeqyteti ukrainas, Kiev dhe disa qytete tjera të mëdha, kanë ndaluar festimet publike, pas paralajmërimeve se Rusia mund të përdorë këtë ngjarje për të sulmuar infrastrukturën civile dhe qeveritare. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë banorëve që të jenë vigjilentë teksa festojnë, pasi përvjetori i pavarësisë përkon me gjashtëmujorin e nisjes së luftës.

Është një ditë e madhe për të gjithë ne. Është, fatkeqësisht, e rëndësishme edhe për armikun tonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj provokimeve ruse, meqë sulmet brutale janë të mundshme.

Në ditën e shënimit të përvjetorit të 31-të të pavarësisë, Zelensky ka thënë se planifikon të ndajë çmime për ukrainasit që kanë kontribuuar në forcimin e shtetit. Në vend të paradës, pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara janë vënë në rrugën kryesore të Kievit, si përkujtim për tentimet e dështuara të Moskës që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas në ditët e para të luftës. Uashingtoni po ashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë këtë përvjetor për të nisur sulme më të mëdha.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64363 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE