Rama për ‘Der Spiegel’: Rusia do të kënaqej me një konflikt të ri në Ballkan!

vovalbania September 04, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rama për ‘Der Spiegel’: Rusia do të kënaqej me një konflikt të ri në Ballkan!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel” ka deklaruar se pavarësia e Kosovës i ka bërë mirë Ballkanit.

Sipas Ramës, që nga shpallja e pavarësisë rajoni ka hyrë në rrugën e paqes dhe shërimit të plagëve të së kaluarës.

“Vendimi për pavarësinë e Kosovës ishte i duhuri. Në fund të fundit, tani ka edhe një proces paqeje dhe pajtimi, edhe nëse do të vazhdojë për një kohë të gjatë”, ka thënë Rama.

Por kryeministri ka paralajmëruar se paqja gjithsesi e brishtë e Ballkanit është e rrezikuar nga ndikimi i Rusisë, e cila sipas tij do ta mirëpriste një konflikt të ri.

Gjatë intervistës, ai ka cituar referimet që presidenti rus Putin i bën Kosovës kur e krahason atë me Krimenë dhe rajonet e tjera ukrainase të kontrolluara nga separatistët pro-rusë.

“Putin thotë: Kosova, Kosova, Kosova. Rusia po nxit konfliktin në Ballkan dhe po rrezikon paqen e brishtë. Ajo do të ishte e kënaqur nëse diçka do të lëvizte në drejtim të konfliktit”, ka thënë Rama.

Duke theksuar se Ballkani është i ndarë sa i përket influencës ruse dhe asaj të Perëndimit, kreu i ekzekutivit shqiptar ka shtuar se megjithatë, rajoni po përjeton edhe zhvillime pozitive falë nismës “Open Balkan”.

“Kohët e fundit ka pasur edhe zhvillime inkurajuese në Ballkan. Kështu që unë dua që Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi të krijojnë një lloj minizone Schengen për të bërë shkëmbime më të mira”, ka vijuar Rama.

Në këtë aspekt, ai i ka njohur meritat ish-kancelares gjermane Angela Merkel, e cila u bë shkas për promovimin e nismës përmes procesit të Berlinit.

Nga viti 2014, “Për herë të parë në historinë e Ballkanit, politikanë të lartë janë ulur së bashku në një tryezë një herë në vit, gjithmonë në qytete të ndryshme evropiane, në Londër, Paris, Trieste, Vjenë. Deri sa u largua nga politika, Merkel ishte personalisht çdo herë e pranishme. Kjo ka ndryshuar gjithçka”, ka thënë Rama.

Megjithatë, ai ka shtuar se pavarësisht dallimeve, liderët e rajonit i bashkon një synim i përbashkët: “Të përmbysin fatin e historisë”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48622 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE