Azerbajxhani do të rrisë me 30% eksportet e gazit në Europë!

vovalbania September 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Azerbajxhani do të rrisë me 30% eksportet e gazit në Europë!

Këtë vit, Azerbajxhani do të rrisë me 30% eksportet e gazit në Europë, ndërsa Bashkimi Europian synon të ulë varësinë ndaj energjisë ruse. Ministri azer i Energjisë, Parviz Shahbazov, tha se “në tetë muajt e këtij viti, Azerbajxhani e furnizoi Europën me 7.3 miliardë metra kub gaz natyror”. Në një postim në Twitter shkruan:

Për vitin 2022, furnizimet e përgjithshme me gaz në Europë do të arrijnë në 12 miliardë metra kub, një rritje me 31 për qind, në krahasim me vitin e kaluar.

Po ashtu, Shahbazov vuri në dukje se “prodhimi i gazit natyror është rritur me 10 për qind në periudhën janar-gusht 2022, duke arritur në 30.6 miliardë metra kub.

Disa ditë më parë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen propozoi vendosjen e çmimeve tavan ndaj gazit natyror që importohet nga Rusia. Por, presidenti rus, Vladimir Putin është zotuar se do t’i ndalë eksportet e naftës dhe gazit për të gjitha shtetet që vendosin çmim tavan. Çmimi tavan është çmimi maksimal i lejuar ligjërisht.

Në muajin korrik, Bashkimi Europian dhe Bakuja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të dyfishuar sasinë e gazit të importuar nga Azerbajxhani, në të paktën 20 miliardë metra kub deri në vitin 2027. Gjithashtu, akordi parasheh zgjerimin e korridorit jugor të gazit që përshkon Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Turqinë e Greqinë.

Pas vendosjes së sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë lidhur me luftën e nisur në Ukrainë në fund të muajit shkurt, Moska ka nisur t’i zvogëlojë furnizimet me gaz në Europë, ndaj Bashkimi Europian është duke përgatitur plane për të tejkaluar dimrin ku nevoja për ngrohje bëhet mjaft e madhe. Ndërkaq, shefi i Kremlinit hodhi poshtë akuzat e Perëndimit se Moska është duke përdorur eksportet e energjisë si “armë”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE